Arbëri

E mbijetuara e masakrës në Poklek rrëfen për tmerrin e përjetuar 23 vjet më parë

23 vjet më parë ushtria dhe policia serbe vranë dhe dogjën 53 civilë në Poklek të Drenasit. Dëshmitarët e mbijetuar sot përkujtojnë tmerrin e asaj dite dhe kujtojnë me mall më të dashurit e tyre.

Njëra prej tyre është edhe Lumnije Muqolli, e cila për KosovaPress tregon se si forcat serbe kryen masakrën e tmerrshme në këtë fshat, duke thënë se kjo ditë është shumë e vështirë për të dhe të gjithë familjen Muqolli.

Ajo thotë se përveç saj, janë edhe pesë të mbijetuar të tjerë, njëra prej tyre është edhe vajza e saj Nita 4-vjeçe.

“Sot është dita e përvjetorit tonë, kjo ditë mua sot më kujton para 23 vjetësh çfarë ka ndodhur në familjen tonë. Unë jam Lumnije Muqolli e mbijetuara e masakrës ku janë vrarë dhe janë djegur 53 civilë, prej aty kemi shpëtuar 6 dëshmitarë jemi, unë me vajzën Nitën atëherë ka qenë 4-vjeç”, tha Muqolli.

Ajo shprehet se ushtria serbe duke kryer vrasjet është munduar me çdo kusht që të zhdukë çdo gjurmë shqiptare në Poklek.

“Kjo ditë mua dhe gjithë familjes sonë na djeg shpirtin, sepse kujton momente shumë të vështira që kam përjetuar dhe parë aty, sa njerëzit janë mbytur, të plagosur që nuk kam pasur mundësi t’iu ndihmoja, dy herë i kanë djegur kufomat, kanë dashur t’i zhdukin gjurmët krejt që të mos dihej se ka pasur njerëz në atë vend ku kemi qenë ne”, tha ajo.

Muqolli tha është e lumtur për mbijetesën e saj, por ajo tha se ndjen keqardhje që nuk ka mundur të iu ndihmojë të plagosurve pasi në atë kohë edhe ajo ka qenë e plagosur.

Sot janë mbushur 23 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër, komuna e Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75-vjeçar.

Aty pësuan fëmijë, të rinj, të reja, burra dhe pleq që u vranë, u masakruan dhe disa prej tyre u dogjën. Edhe pas dy dekadash, askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët nuk u ndëshkua nga drejtësia.