Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka premtuar qeverisje transparente, pa korrupsion e nepotizëm, derisa kashtuar se në kabinetin e tij s’do të ketë vend për njerëzit që kanë probleme me ligjin.
Duke folur për qeverisjen e kaluar të Mytaher Haskukajt dhe aktakuzat e ngritura ndaj drejtorëve, Totaj i PDK-së deklaroi se s’ka pasur qasje profesionale ndaj obligimeve të punës. Premtoi se një gjë e tillë nuk do të ndodhë në kabinetin e tij.
“Fakti që kemi pasur disa drejtorë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe tash para disa ditëve janë shpallur disa aktakuza të reja, tregon se nuk kemi pasur qasje profesionale ndaj obligimeve të punës. Çka unë premtoj që asnjë person i cili ka ose ka pasur probleme me ligjin nuk do të mund të avancohet në pozitë të drejtorit. Natyrisht nëse në ndërkohë ndodh një gjë e tillë që ndaj dikujt të hapet aktakuzë ata persona nuk do të kenë vend në kabinetin qeverisës”, thotë ai.
Totaj tha se qeverisja e tij do ta rrisë cilësinë e jetesës.
“Unë premtoj ulje apo zvogëlim të dukshëm të dukurive negative, do të thotë burokracisë, korrupsionit, nepotizmit...Të kemi një energji pozitive dhe një qasje proaktive dhe të lëvizim drejt ngritjes së cilësisë së jetës në Komunën e Prizrenit. [...] Qeverisja ime do të jetë profesionale, korrekte, transparente dhe do të jetë një lidership pak më ndryshe se çka parë deri më tani Prizreni”, thotë ai.
Projekti i parë i rëndësishëm për të do të jetë funksionalizimi i rrugës tranzitore nga lagjja ‘Dardania’ te ‘Arbana’, si dhe lidhjen e autostradës e rrugës, duke mundësuar kyçje më të shpejtë në autostradë, e cila çon për në Shqipëri apo në Prishtinë.
Totaj zotohet se do t’i shtyjë përpara të gjitha projektet e premtuara gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa tregon se cili prej tyre do të ketë prioritet me nisjen e punimeve.
“Kurse, ne e kemi futur në buxhet të vitit të ardhshëm studimin e fizibilitetit të projektit të ndërtimit të nënkalimit nga ish-BVI deri tek Shtëpia e Bardhë ku aktualisht është rezidenca e kryetarit të komunës. Si dhe një projekt tjetër të studimit të mundësisë së rifreskimit apo ristrukturimit të trafikut urban në qytetin e Prizrenit, ku përfshihet edhe çështja e parkingjeve, sepse nuk ka pasur një studim të kësaj natyre”, tha Totaj i PDK-së.
Për rritjen ekonomike, kreu i PDK-së deklaroi se së shpejti do të funksionalizohet zona ekonomike.
“E kemi si projekt shumë të rëndësishëm funksionalizimin e zonës ekonomike dhe besojmë që shumë shpejtë do të funksionalizohet. Pastaj aty do të kemi mundësi që të kemi investitorë apo biznese të cilët duan të investojnë dhe të hapin vende të reja të punës, t’u ofrohet lokacion, t’u ofrohet tokë dhe infrastruktura e cila ju duhet për t’u kyçur. Ata pastaj me investimet e tyre t’i rrisin kapacitetet dhe të hapin vende të reja të punës”, shprehet Totaj.
I njëjti premtoi edhe punime në aspektin kulturor e turistik.
“Prizreni si qytet me trashëgimi kulturore, historike ka çka ju ofron vizitorëve. Ka shumë objekte të cilat ia vlen të shihen, ka shumë xhamia, ka shumë kisha, është Sahatkulla ku është investuar dhe është shndërruar në muze. Është po ashtu Hamami, është Lidhja e Prizrenit dhe mendoj që të gjitha këto do të jenë dhe mund të jenë atraksionet për t’i vizituar nga ana e të gjithë qytetarëve që duan të vijnë dhe të vizitojnë Prizrenin. Ne planifikojmë që të ndërtojmë një kalendar të eventeve që do të ndodhin gjatë vitit”, shtoi tutje./KSP/