Dy mësimdhënës u arrestuan të premten mbrëma në fshatin Shkozë të Malishevës nën dyshimin se keqtrajtuan një 12-vjeçar. Babai i 12-vjeçarit i cili është nxënës në të njëjtën shkollë ku dyshohet se u rrah nga mësimdhënësit, ka treguar ngjarjes sipas asaj që i ka thënë i biri për rastin e dyshuar.
S.B. ka thënë se djali i tij ishte ndeshur me mësimdhënësit në korridor dhe është pyetur “se pse po shëtitë nëpër korridor” e se më pas, sipas tij, e kanë sulmuar aty.
Ai thotë se djali i është ankuar në shtëpi për dhimbje fizike që kishte ndjerë pas rrahjes që dyshohet se mësimdhënësit kryen.
"...djali kishte pasur ankesa për dhimbje, kam shkuar e kam marrë dhe e kam dërguar në ambulancën e Malishevës dhe pas kontrollit kanë konstatuar lëndime dhe më kanë thënë se e kanë obligim që ta lajmërojnë rastin në polici", i ka thënë KOHËS prindi i 12-vjeçarit.
Tash, po pret që organet përgjegjëse të ndërmarrin masat adekuate.
"Me mua nuk kanë asgjë ata mësimdhënës, as që i njohë mirë, vetëm si figura i kam parë, por kërkoj nga shteti të ndërmarr masa ndaj tyre sipas ligjit", ka thënë ai.
Edhe
Dy mësimdhënës arrestohen në Malishevë, dyshohen për keqtrajtim të një fëmije 12 vjeç
S.B. ka thënë tutje se djalin po e dërgon te psikiatri sipas udhëzimit të mjekut.
Ndërkohë në SHFMU "Sali Bytyçi", në Shkozë, drejtori Arben Bytyçi ka thënë të shtunën për KOHËN se për rastin u njoftua nga Policia. Ai ka shtuar se nga informacionet që ka, “mësimdhënësit e kanë nxjerrë jashtë nxënësin”, por, shtoi ai, “prindi ka deklaruar se ka pasur edhe dhunë ndaj djalit të tij”. Teksa shton se nuk e di ende versionin e mësimdhënësve.
Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit(DKA), në Komunën e Malishevës, Blerim Thaçi ka thënë se nga ana e tyre do të merren masat sipas ligjeve në fuqi dhe do të presin vendimet e institucioneve përkatëse qe merren me shqyrtimin e rastit.