Arbëri

Opozita kritikon projektin e tezgave mobile të Komunës së Prizrenit

Projekti i Komunës së Prizrenit për vendosjen e tezgave mobile për shitjen e produkteve bujqësore në lokacione të ndryshme në qytet është duke u kritikuar nga partitë opozitare. Sipas opozitës, ky projekt pos stimulimit të shitjes ambulantore pa kushte higjienike, njëherësh pengon lirinë e lëvizjes në trotuare. Madje kanë theksuar se në këtë mënyrë legalizohen pikat ilegale të shitjes ambulantore. Zyrtarët e Komunës së Prizrenit kanë deklaruar të kundërtën, duke theksuar se me vendosjen e këtyre tezgave synohet përmirësimi i kushteve për zhvillimin e punës së tregtarëve sikurse edhe krijimi i një ambienti më të pastër për shitblerje.

Pas promovimit të këtij projekti nga zyrtarët e lartë komunalë ka reaguar dega e Nismës Socialdemokrate në Prizren, duke shprehur qëndrimin se vendosja e tezgave mobile në trotuare e vështirëson lëvizjen e lirë të qytetarëve.

“Në kohën kur tregjet aktuale janë të zbrazura dhe shumë hapësira janë shndërruar në deponi të mbeturinave, Haskuka stimulon shitjen në rrugë e trotuare dhe në kushte tepër të rënda higjienike duke mos e lodhur veten as për marketet, të cilat merren me këtë veprimtari e që paguajnë taksa. Paaftësia e kësaj qeverie për të menaxhuar me qytetin e dytë në Kosovë, siç është Prizreni, po e bënë gjithnjë e më të papërballueshme jetën në qytetin tonë”, thuhet në reagimin e Nismës.

Ky subjekt opozitar i ka bërë thirrje ekzekutivit komunal që ta ndalojë degradimin e Prizrenit, si dhe të konsultohet me të tjerët me qëllim që të ruhet qyteti.

Ndërkaq kryetari i degës së PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj, ka vlerësuar se tanimë është e qartë se filozofia qeverisëse e VV-së dhe kryetarit Haskuka “është plotësisht pa vizion dhe qëllim të vetëm e ka mbajtjen e vetvetes në pushtet”.

“Si të komentohet ndryshe fillimi i ndërtimit të tezgave nëpër lokacione të ndryshme në qytet përveç se veprim elektoral, për t`ju gjetur zgjidhje disa shitësve për një grusht vota. Pse ekzistojnë tregjet nëpër qytet? Pse kështu dëmtohet pa kujdes interesi publik duke uzurpuar trotuaret e qytetit tonë?”, është shprehur Totaj.

Ndërsa anëtari i Kuvendit të Komunës së Prizrenit nga radhët e AAK-së, Ilir Baldedaj, ka vlerësuar se me këtë projekt vetëm se bëhet legalizimi i tregjeve ilegale. Sipas tij, ky projekt edhe njëherë dëshmon qeverisjen e dështuar në Prizren.

“Shumë ma mirë është dashur me i mbyllë krejt tregjet dhe me i lanë trotuaret për tregje”, ka ironizuar ai, duke shtuar se një projekt i tillë ka kushtuar 34 mijë euro.

Komuna e Prizrenit të hënën ka njoftuar se ka filluar vendosja e 100 tezgave mobile për shitjen e produkteve bujqësore në 9 lokacione të ndryshme, përmes të cilave “synohet përmirësimi i kushteve për zhvillimin e punës së tregtarëve dhe krijimi i një ambienti më të pastër për shitblerje”.

Në njoftim thuhej se kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka dhe drejtorët, Edon Muqaj dhe Beni Kizolli kanë vizituar lagjet “Bazhdarhane” dhe lagjen “Ortakoll”, ku punimet për vendosjen e tezgave janë në përfundim e sipër. Me këtë rast kryetari Haskuka ka theksuar se pos këtyre 2 lokacioneve, së shpejti do të fillojnë punimet për vendosjen e këtyre tezgave edhe në 7 lokacione të tjera, raporton KOHA.

“Këto tezga gjatë ditës do të shfrytëzohen nga tregtarët për shitje të pemëve dhe perimeve të ndryshme, ndërkaq në mbrëmje mund të shndërrohen në ulëse, ku qytetarët tanë do të mund ta kalojnë kohën e tyre të lirë. Tezgat do të vendosen në pika ku vetëm se kemi pasur shitës për produktet bujqësore. Të gjithë tregtarët e interesuar duhet të paraqiten në Drejtorinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për marrje në shfrytëzim të këtyre tezgave”, ka bërë të ditur Haskuka.

Aktivisti i shoqërisë civile, Naim Cahani ka theksuar se problemi i shitjes ambulantore ka qenë shqetësim i kahershëm i qytetarëve për faktin se janë uzurpuar trotuaret.

“Vendosja tezgave mobile për shitësit ambulantorë ka krijuar situatën kur një veprimtari e tillë ilegale është legalizuar nga vetë Komuna. Për më tepër, ky problem është dashur të adresohet në forma tjera nga ana e qeverisë lokale”, ka thënë Cahani.

Ai ka shtuar se hapësirat publike, siç janë trotuaret janë esenciale për lirinë e lëvizjes së qytetarëve.

“Çdo ndryshim destinimi i këtyre hapësirave përbën shkak për kyçjen e tyre në procesin vendimmarrës. Një vendim i tillë i qeverisë lokale shkel të drejtën elementare të qytetarëve për të vendos dhe planifikua organizimin e hapësirave publike”, ka deklaruar Cahani.

Në të njëjtën kohë i ka bërë thirrje Komunës që të heq dorë nga kjo praktikë.

“Qeveria lokale duhet ta anulojë këtë formë të praktikave të vendosjes së tezgave të tilla në trotuare dhe të riorganizoj dhe funksionalizoj tregjet aktuale. Mund t’i praktikojë edhe tregjet mobile, por jo në formën e tillë siç e kemi parë, por me kujdesin maksimal se ku dhe si të vendosen këto tregje mobile”, ka përfunduar ai.