Arbëri

Opozita në Prizren akuzon pushtetin për mosndalim të degradimit urban

Dega e PDK-së në Prizren ka vlerësuar se degradimi urban dhe i ambientit në qytetin e Prizrenit nuk ka të ndalur. Partia opozitare ka vlerësuar se ky degradim del në pah edhe me ndërtimin e të ashtuquajturave vila, në shumë lokacione të Komunës së Prizrenit.

Kryetari i Degës së PDK-së, Shaqir Totaj, gjatë një konference për media ka theksuar se në Zonën Industriale, në transitin e vjetër, tashmë është ndërtuar një kompleks i tillë dhe se një tjetër ka filluar të ndërtohet pikërisht gjatë kohës së pandemisë, raporton KOHA.

Sipas tij, banorët përmes peticionit kanë reaguar kundër veprimtarive të tilla, porse mbetet dilema përse nuk ka koordinim mes Drejtorisë së Urbanizmit dhe asaj të Inspektoratit, për ndalimin e degradimit.

Por drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, Fatmir Memaj, ka theksuar se ky dikaster për rastet që ka lëshuar leje i ka ndjekur procedurat ligjore sipas Ligjit për Ndërtim.

Memaj ka shtuar se sa u përket ndërtimeve pa leje ato do të verifikohen dhe ku është e nevojshme do të intervenohet.