Lëvizja Vetëvendosje, qendra në Prizren, ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore ndaj kryetarit të Komunës, Shaqir Totaj dhe vartësve të tij në këtë komunë, të cilët sipas VV-së, kanë degraduar arsimin përmes zgjedhjes së drejtorëve partiakë dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Përmes një komunikate për media VV-ja ka thënë se procesi i zgjedhjes së drejtorëve në institucionet edukativo-arsimore publike në Komunën e Prizrenit është përcjellë me parregullsi të shumta të cilat sipas kësaj partie e kanë dëmtuar në masë të madhe integritetin dhe kredibilitetin e sistemit arsimor.
“Lëvizja Vetëvendosje në Prizren, duke iu përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve, prindërve dhe shoqërisë civile për proces jo transparent e të kundërligjshëm dhe duke marrë për bazë parimin themelor të zgjedhjes së drejtorëve, ai i depolitizimit dhe parimin e ligjshmërisë në proces që parashihen me udhëzimet në fuqi, përmes këtij kallëzimi penal kërkon që organet kompetente të shtetit, të ndërmarrin masat e duhura penale-juridike për të zbardhur të vërtetën me rastin e zgjedhjes së drejtorëve në shkollat e Komunës së Prizrenit”, thuhet tutje në njoftim.
VV-ja ka thënë se qeverisja e re komunale çdo ditë e më shumë po e degradon qytetin në çdo aspekt.
“Andaj lidhur me këtë iu drejtohemi qytetarëve, atyre që iu mohohen të drejtat ligjore për shkak të veprimeve klienteliste dhe nepotiste të këtij pushteti, shoqërisë civile dhe akterëve të ndryshëm shoqëror që të veprojmë bashkërisht për të ndalur këtë degradim dhe për të detyruar organet komunale të veprojnë në bazë të ligjit dhe konform interesit publik gjatë ushtrimit të kompetencave të tyre”, thuhet tutje në njoftimin e VV-së.
-
Opozita në Prizren konteston zgjedhjen e drejtorëve të shkollave
-
Vetëvendosje në Prizren ngre akuza për parregullsi, kërkon nisjen e hetimeve
-
Prokuroria Speciale hedh poshtë pretendimet e opozitës ndaj Totajt e të tjerëve
-
LVV-ja kërkon anulimin e procesit të zgjedhjes së drejtorëve
-
Totaj: Në listën e PDK-së janë përfshirë kandidatë që u komprometuan më 28 dhjetor