Arbëri

Mbi 9 milionë euro tenderi, nuk dihet prej nga do të sigurohen mjetet

Mbi 9 milionë euro është tenderi për ndërtimin e spitalit të Podujevës. Por ky projekt, i prezantuar edhe gjatë fushatës zgjedhore nga ministri i Shëndetësisë, nuk gjendet fare në buxhetin e miratuar për këtë vit. Komuna e Podujevës thotë se nuk ka asnjë informatë për këtë projekt, ndërsa SHSKUK-ja për dy ditë radhazi nuk kthyer përgjigje se prej nga do t’i marrë paratë për ndërtimin e këtij spitali

Prishtinë, 6 janar - Vetëm edhe disa ditë operatorët do të mund të ofertojnë lidhur me tenderin për ndërtimin e spitalit të Podujevës. Mbi 9 milionë euro është vlera e tenderit që ka hapur në dhjetor të 2020-s SHSKUK-ja për ndërtimin e këtij spitali.

Në tenderin e hapur më 10 dhjetor thuhet se ndërtimi duhet të përfundojë brenda 36 muajve, por mjetet për ndërtimin e spitalit disa herë të proklamuar nuk dihet se nga do të sigurohen.

Në buxhetin e miratuar për vitin 2021 askund nuk figurojnë mjetet për këtë projekt, derisa SHSKUK-ja ka dy ditë që nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS se prej nga do të merren mjetet.

Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Podujevës, Egzona Mustafa, thotë se ata nuk kanë asnjë informatë lidhur me këtë projekt, derisa e vë në dyshim ndërtimin e spitalit të cilit tashmë disa herë i ishte prerë shiriti.

“Nuk jemi të informuar për këtë projekt, sepse është përdorur gjatë fushatës së LDK-së dhe nuk është arritur të jetësohet asnjëherë. Për këtë projekt është prerë shiriti disa herë dhe nuk është bërë asnjë hap konkret që ky të realizohet. Ka qenë projekt i qeverisë së LDK-së, pse është stopuar ndoshta për të fituar poenë politikë dhe nuk është realizuar asnjëherë. Nuk mendoj që mund të përfundojë për 37 muaj, për arsye se nuk ka qenë projekt i qartë, por vetëm si ide”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa Liridona Behrami nga KDI-ja thotë se ata e kanë informuar Kuvendin e Kosovës dhe kanë kërkuar sqarime për këtë lëshim dhe për mospërfshirjen e këtyre mjeteve për ndërtimin e këtij spitali. E që, sipas Behramit, SHKUK-ja rrezikon buxhetin e vet me këtë projekt.

“SHSKUK-ja më 9 dhjetor ka shpallur tenderin për rindërtimin e spitalit me vlerën e parashikuar mbi 9 milionë, mirëpo kemi vërejtur që kjo nuk ka ndarje buxheti në projektligjin, e as në aprovimin e buxhetit nuk ekziston si linjë buxhetore. Kemi kërkuar nga Kuvendi që para se të aprovohet buxheti të rishikohet ky lëshim, sepse nëse SHSKUK-ja kontrakton një operator ekonomik rrezikon të hyjë në obligime financiare”, është shprehur Behrami.

Ndërtimi i spitalit të përgjithshëm në Podujevë është një prej premtimeve më të përmendura nëpër fushata zgjedhore për vite me radhë.

Ndërsa në zgjedhjet e fundit për kryetar të Komunës së Podujevës, ishte ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili ishte kujdesur që në ditën e parë të fushatës të fliste për finalizimin e këtij projekti.