Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Spitali i Podujevës – spital i premtimeve

Vetëm premtim. Ky është epilogu që i ka përcjellë disa qeveri deri tash në fjalën e tyre për ndërtimin e Spitalit të Podujevës. E listës së premtimeve për ndërtimin e këtij spitali i është shtuar edhe Qeveria Kurti. Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë të shtunën se ky spital do të bëhet me kredi, pasi që në Buxhetin e miratuar të Qeverisë për vitin 2022 s’është ndarë asnjë cent për ndërtimin e tij.

“Spitali i Podujevës do të bëhet! Ka projekte që financohen nga të hyrat buxhetore, dhe ka projekte që financohen nga kreditë e buta. Spitalet dhe kryesisht projektet në shëndetësi, janë investime që institucionet financiare ndërkombëtare i financojnë me shumë dëshirë, e kështu do të financohet edhe ndërtimi i spitalit të Podujevës”, ka premtuar ai në një shkrim në Facebook.

Ai ka vazhduar në shkrimin e tij në Facebook duke thënë se buxheti i ri i vendit ka përfshirë shumë politika të reja, por edhe risi sa i përket menaxhimit të financave publike. Këtu ka përmendur ristrukturimin e mënyrës së buxhetimit të projekteve që pritet të financohen me kredi të buta.

“Për të gjitha projektet e reja që pritet të financohen me kredi sipas klauzolës së investimeve, kemi krijuar një program me shumën prej 50 milionë euro (40 kapitale dhe 10 mallra), e cila pastaj shpërndahet nëpër organizatat buxhetore sipas dinamikës së nënshkrimit dhe ratifikimit të projekteve. Andaj në rastin e spitalit të Podujevës sapo të negociohet projekti me njërin nga institucionet financiare ndërkombëtare (Banka Botërore, EIB, BERZH, CEB, etj), shuma e nevojshme për ndërtimin e spitalit merret nga programi për financimin e projekteve potenciale, dhe i transferohet organizatës buxhetore implementuese”, ka përfunduar ai.

Megjithatë, Spitali i Podujevës vazhdon të mbetet një prej premtimeve që përsëritet ndër vite nëpër fushata zgjedhore. Edhe në nëntorin e vitit të shkuar, kur në Podujevë pati zgjedhje lokale, u premtua një gjë e tillë. Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ishte kujdesur që në ditën e parë të fushatës ta bënte publik lajmin se është finalizuar projekti për ndërtimin e këtij spitali. Vetë Zemaj pati mohuar se premtimi kishte të bënte me fushatën.

Edhe Mbi 9 milionë euro tenderi, nuk dihet prej nga do të sigurohen mjetet Arbëri Mbi 9 milionë euro tenderi, nuk dihet prej nga do të sigurohen mjetet

Ndërkohë, edhe një tjetër ish-ministër pati dhënë fjalën për ndërtimin e këtij spitali. Uran Ismaili i Partisë Demokratike të Kosovës pati deklaruar madje se hartimi i projektit për Spitalin e Podujevës ka nisur gjatë mandatit të tij e se të gjitha përgatitjet për të janë bërë.

E prezantimin e projektit vitin e shkuar, shefi i asamblistëve të Vetëvendosjes në Podujevë, Vendenis Lahu, e konsideronte kryekëput për efekte elektorale.

“Spitalit të Podujevës i është prerë shiriti edhe 2-3 herë të tjera. Secila herë në prag të zgjedhjeve, qoftë lokale, qoftë qendrore, por ai ende nuk është ndërtuar edhe 5 vjet pas. Për ne dhe për qytetarët mund të them lirisht, është i papranueshëm përdorimi i resurseve shtetërore për të ndikuar në rezultate zgjedhore. Resurset shtetërore duhet të përdoren për t’u ofruar shërbime qytetarëve dhe jo për t’i mashtruar ata”, pati thënë Lahu.

Më 18 janar të vitit 2021, ishte bërë edhe hapja e ofertave për tender për ndërtimin e Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë. Megjithatë, më 23 shkurt Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës njoftoi për anulim të tenderit duke e arsyetuar atë me shkurtim buxhetor.

Edhe Spitali i premtuar gjatë fushatës në Podujevë nuk përfshihet në buxhetin e vitit 2021 Arbëri Spitali i premtuar gjatë fushatës në Podujevë nuk përfshihet në buxhetin e vitit 2021

Në mungesë të Spitalit të Podujevës, kjo komunë bëhet e dyta pas Prishtinës, barrë për QKUK-në.

Podujeva aktualisht është ndër komunat me rezultatin më të ngushtë në raundin e parë të zgjedhjeve lokale për kryetar. Ekrem Hyseni i LDK-së ka marrë 16 mijë e 925 vota apo 44.2 për qind, ndërsa do të përballet në balotazh me Shpejtim Bulliqin e VV-së që mori vetëm 18 vota më pak.