Arbëri

Opozita akuzon Ahmetin për zvarritje të projektit të rrugës me katër korsi në Lipjan

Subjekti më i madh opozitar në Lipjan, PDK, nëpërmjet një komunikate për media sërish ka akuzuar kryetarin e komunës, Imri Ahmeti, për zvarritjen e projektit të rrugës me katër shirita.

Sipas opozitës në këtë projekt është i përfshirë edhe vetë kryetari Ahmeti derisa ishte shef ekzekutiv i komunës, shumë vjet më parë.

“Kryetari i komunës së Lipjanit, po e përfundon mandatin duke u ankuar dhe duke thënë se është problem i qeverisje se kaluar projekti i rrugës me katër korsi. Ky projekt prej 2013-s pasi që e ke marrë mandatin kjo qeverisje nuk i ka vazhduar punimet. Me këtë rast PDK-ja, dega në Lipjan ia rikujtojmë kryetarit Ahmeti se ato objekte banesore për të cilat ka folur publikisht, ai ka qenë i përfshirë personalisht në atë problem derisa ishte kryeshef ekzekutivë i komunës”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Sipas tyre, kryetari Ahmeti është në dijeni se çfarë problemi ka pasur me drejtësinë rreth projektit të rrugës me katër korsi, andaj opozita ka njoftuar se në të ardhmen do t’ia publikojnë edhe kohën se kur është përballë me drejtësinë për këto objekte banesore.

“Kërkojmë që ekzekutivi të punojë në interes të qytetarëve por mos ta luan rolin e viktimës në projektin e rrugës me katër shirita sepse për dy mandate nuk arritën ta realizojnë këtë projekt”, thuhet më tej në komunikatë.

Sipas tyre qytetarët e Lipjanit tashmë e kanë kuptuar se ky projekt ka dështuar për shkak të interesave të ngushta ndërmjet kryetarit të komunës dhe disa bizneseve të caktuara.

“Prandaj qytetarët duhet ta ndëshkojnë këtë keqqeverisje sepse dështimi i këtij projekti milionësh po e dëmton paranë e qytetarëve dhe po ashtu po e vështirëson qarkullimin e tyre në këtë rrugë”, thuhet në komunikatë.