Komuna e Ferizajt, para pak ditësh, ka bllokuar dhe ka ndryshuar qarkullimin e disa rrugëve brenda qytetit. Këto ndryshime kanë krijuar kaos në komunikacion.
Për LDK-në, ky ndryshim i shpeshtë ndërlidhet me projektin e bashkimit të qytetit, të cilin e konsiderojnë të jashtëligjshëm.
Gëzim Kokollari, këshilltar në KK të Ferizajt nga radhët e këtij subjekti, ka thënë se banorët e Ferizajt po vazhdojnë të përballen me kolona të gjata nëpër qytet si pasojë e riorganizimit të trafikut dhe shkaku i punimeve të projektit “Bashkimi i qytetit”, i cili sipas tij është i jashtëligjshëm, shkruan sot Koha Ditore.
“Projekti “Bashkimi i qytetit” do të zgjatë edhe për disa vjet. E kemi thënë edhe në të kaluarën se ky projekt po ndërtohej jashtë Planit Zhvillimor Komunal, pa ndonjë studim të fizibilitetit dhe në kundërshtim me financat publike, mirëpo si pasojë e kësaj tashti Komuna po i ndryshon qarkullimet e rrugëve e disa prej tyre i ka mbyllur.
Qyteti i Ferizajt është duke u përballur me një kaos të jashtëzakonshëm nga veturat, andaj këtë çështje duhet ta debatojmë edhe në mbledhjen e radhës së KK-së, sepse kemi mjaft shumë ankesa nga qytetarët”, ka thënë Kokollari.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)