Arbëri

IKSHP-ja kërkon siguri në trafik, varroset viktima e aksidentit në Rahovec

Familja Lama nga Rahoveci, të shtunën priste të afërm për ngushëllime, për njërin nga anëtarët e familjes që vdiq të premten në një aksident trafiku.

Familjarët nuk kanë dashur të flasin para kamerës, duke treguar se edhe i biri i viktimës, një 31-vjeçar, është në gjendje të rëndë shëndetësore, raporton KTV.

Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidentit që ka ndodhur mesditën e së premtes, në Rahovec. Dëshmitarët të cilët kanë parë nga afër ngjarjen, kanë treguar se kjo zonë njihet për aksidente që ndodhin shpesh.

Në veturë me familjen Lama kanë qenë edhe dy persona nga Prishtina, një 45-vjeçar i cili ka vdekur, si dhe një 46-vjeçar që është lënduar.

Prokuroria Themelore në Gjakovë dyshon se aksidenti u shkaktua pasi që njëri shofer hyri në tejkalim në mënyrë të pasigurt, duke goditur më pas automjetin tjetër.

Sipas tyre, pasagjerja 60-vjeçare që ishte në veturë me shoferin që dyshohet se shkaktoi aksidentin ka vdekur, derisa ai është i lënduar.

Në një raport të siguruar nga KTV-ja, thuhet se vetura nga Prizreni goditi atë të Rahovecit.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka apeluar te Policia e Kosovës që të shtojë masat për siguri në komunikacion.

Masa të shtuara për siguri në trafik ka kërkuar edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës. Sipas tij, është shqetësuese që për 6 muaj, 40 persona kanë vdekur si pasojë e aksidenteve.