Arbëri

14 vjet nga tragjedia ku vdiqën 15 maturantët nga Malisheva në ekskursion

Një tragjedi ka tronditur Kosovën 14 vjet më parë, ku 15 maturantë të shkollës së mesme “Abdyl Frashëri”, tani Gjimnazi “Hamdi Berisha” nga Malisheva kanë humbur jetën gjatë një ekskursioni që po bënin në Shqipëri.

LEXO EDHE: Përkujtohen 15 maturantët nga Malisheva që vdiqën në Fushë Arrëz në ekskursion

Ngjarja kishte ndodhur kur autobusi që po barte 49 maturantë, u rrokullis dhe ra në humnerë në Fushë Arrëz të Pukës, me ç’rast 34 nxënësit e tjerë u lënduan rëndë.

Pas identifikimit të trupave shteti shqiptar i përcolli në mënyrë dinjitoze nga ushtria shqiptare deri në kufirin me Kosovën, prej nga TMK-ja i solli në lokalet e gjimnazit “Abdyl Frashëri” të Malishevës.

Varrimi i tyre u bë më 16 tetor, te “Lëndina e Lotëve”, të lagjes së Gurit.

Ardita Zulfaj nga Seniku i Malishevës po flinte në autobus para 14 vjetësh, kur autobusi ishte hedhur në një humnerë të thellë në Fushë-Arrëz të Shqipërisë, ku kishin gjetur vdekjen 15 shokë të saj, derisa po ktheheshin nga ekskursioni i tyre në shtetin e Shqipërisë.

“Isha në gjumë dhe nuk di asgjë më shumë, pas 3 muajsh e kam parë familjen time afër meje në një spital në Itali, më pyesnin se ku gjendesha dhe unë mendoja se isha në Tiranë, e dija se ka ndodhur një aksident, por nuk e kisha të qartë se si e çka ka ndodhur”, ka rrëfyer ajo për “Kohën Ditore” në 10 vjetorin e tragjedisë.

Zeqir Kastrati, ish-kujdestar i klasës që është aksidentuar para 14 vjetësh, ka thënë se e kishte shumë të vështirë të shihte familjarët e nxënësve të tij tek varret e më të dashurve. “Është një ankth që nuk mbaron dot”, ka thënë ai.

Në një vjetorin e ngjarjes tragjike, Qeveria shqiptare ka ngritur një obelisk përkujtimor tek vendi i ngjarjes në Fushë-Arrëz, kurse në përkujtimin e dy vjetorit të kësaj ngjarjeje, filloi ndërtimi i kompleksit memorial të varrezave të maturantëve edhe nga Qeveria e Kosovës, në qytetin e Malishevës.