Arbëri

Malisheva përkujtoi 15 maturantët që vdiqën gjatë kthimit nga ekskursioni në Shqipëri

Malisheva ka përkujtuar 15 maturantët që vdiqën në një aksident komunikacioni në Fushë-Arrëz të Shqipërisë më 2004, derisa po ktheheshin nga ekskursioni.

Nxënësit e Gjimnazit “Hamdi Berisha” të Malishevës e kanë bërë ritualin e përvitshëm, duke ecur këmbë nga shkolla e tyre e deri tek varrezat e maturantëve, në Lagjen e Gurit në Malishevë, ku kanë vendosur kurora lulesh dhe kanë nderuar e përkujtuar ish-nxënësit e shkollës së tyre.

Familjarët para të gjithëve kanë shkuar tek varrezat në lokacionin që pas varrimit të maturantëve është pagëzuar me emrin “Lëndina e lotëve”.

Osman Suka njëri nga prindërit e maturantëve në një prononcim për KOHËN ka shprehur pakënaqësinë e tij për mospërkujdesjen ndaj varrezave të maturantëve.

“Varrezat e maturantëve tanë janë në gjendje të mjerë, askush nga institucionet nuk përkujdeset për to. Me pas qenë ndonjë tender për to, kishin vrapuar se kush ta marrë”, është shprehur ai me emocione duke e përshkruar tragjedinë e Fushë-Arrëzit si ndër më të mëdhatë pas luftës në Kosovë. “Fëmijët tanë shkuan ta shijojnë ëndrrën më të madhe që nuk mund ta shijonim ne në periudhën e komunizmit”.

Suka është shprehur i zhgënjyer me faktin që nxënësit e Shqipërisë nuk vijnë ta vizitojnë Kosovën, siç vazhdojnë ta bëjnë edhe më tutje nxënësit e Kosovës.

Ky prind e ka quajtur simbolik kompensimi që kishte bërë kompania e sigurimeve për familjet e 15 maturantëve për aksidentin, ndërkohë që të lënduarit, sipas tij, nuk janë kompensuar fare.

Zeqir Kastrati, kujdestari i klasës e cila ishte aksidentuar para 17 vjetësh në Fushë-Arrëz, ka bërë një dedikim të gjatë për aksidentin duke e quajtur atë ditën më të rëndë në jetën e tij.

{gallery}