Arbëri

Migrimi zbraz shkollat

Shkollat e mesme e kanë përfunduar vitin me rreth 7 mijë nxënës me pak krahasuar me tre vjet më parë. Në gjimnazin “Hamdi Berisha”, në Malishevë, nga 34 nxënës sa i pati një klasë në vitin e dhjetë, në ditën e diplomimit ishin vetëm 10. Të tjerët gjatë kësaj periudhe kanë shkuar me familje në vendet perëndimore. Mësimdhënësit thonë se ikja e nxënësve po ndikon negativisht në gjendjen emocionale te kohanikët e tyre, si dhe po ua rrezikon vendet e punës

Një vit pasi është larguar me familje drejt Gjermanisë, Argëtim Mazreku është kthyer në shkollën “Ibrahim Mazreku” në Malishevë.

Kësaj here, ka ardhur për të takuar shokët dhe shoqet me të cilët i kaloi shtatë vjetët e parë të mësimit fillor.

“Kam ardhur këtu për shkak të shoqërisë, edhe shkollës që e kam pasur më herët, edhe më ka marrë malli. Mirë është atje, por më mirë këtu”, thotë shkurt 14-vjeçari, i cili nuk ndahet nga shokët me të cilët është rritur. “Të gjithë i kam shokë të mirë, atje nuk kam shokë njëjtë si këtu”.

Rrugës deri te klasa ku dikur i ka vijuar për shtatë vite mësimet, mësimdhënësit e përshëndesnin e i urojnë qëndrim të këndshëm në Kosovë.

E shoku me të cilin ka ndarë bankën, Leotrim Mazreku, tregon që në çdo ngjarje e manifestim që shënohet në shkollë, mundohet t’ia përcjell Argëtimit të gjitha detajet që të mbajnë të gjallë shoqërinë e tyre edhe në distancë.

Përderisa kohanikët e tij janë afër përfundimit të klasës së tetë, 14-vjeçari tregon se në Gjermani nuk arriti të fillonte menjëherë procesin mësimor. Fillimisht iu desh të ndiqte kurse për të mësuar gjuhën.

“Më kanë thënë që duhet ta mësojë gjuhën. Aty jam me nxënës nga të gjitha vendet që kanë ardhë si unë”, tregon ai.

Në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) kanë thënë se nuk i kanë të dhënat se sa nxënës në nivelin fillor e të mesëm të ulët kanë ndërprerë procesin mësimor për t’u larguar jashtë vendit.

“Këto informata, Komunat i raportojnë në MAShTI pasi të përmbyllet viti shkollor”, thuhet në një përgjigje të ministrisë.

Braktisja vërehet gati në çdo shkollë e edhe në gjimnazin “Hamdi Berisha”, në Malishevë.

Sipas drejtorit Izet Hoti, vetëm këtë vit shkollor, 120 nxënës janë larguar, kryesisht për në Gjermani dhe Itali.

“Vërtetimin e kanë kërkuar kryesisht për Gjermani e Itali. Ka pasur edhe për Austri, mirëpo të gjithë kanë dalë jashtë vendit bashkë me familjet e tyre”, ka thënë drejtori Hoti. “Kemi edhe raste të tjera që po i dëgjoj nga nxënësit që po tregojnë se familjet e tyre kanë aplikuar për vizë pune”.

Një klasë në këtë shkollë, para tre vjetësh numëronte 34 nxënës, por në ditën e diplomimit i pati vetëm 10.

Shkollat e mesme në nivel të Kosovës e kanë përfunduar vitin me rreth 7 mijë nxënës me pak krahasuar me tre vjet më parë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, mbi 74 mijë nxënës ishin para tre vjetësh në shkollimin e mesëm të lartë, ndërkaq tash janë mbi 67 mijë.

Mësimdhënësja në gjimnazin “Hamdi Berisha”, Rajmonda Sherife-Paqarizi, ka thënë se ikja e nxënësve është duke ndikuar negativisht në gjendjen emocionale te kohanikët e tyre.

“Nuk e shohin shumë seriozisht situatën dhe në një farë forme, përveç emocioneve dhe mërzisë që e kanë për shokun gjatë ndarjes së tyre, në një farë forme janë edhe pak të ftohur gjatë momenteve që janë në mësim”, ka thënë Sherife-Paqarizi. “Duket që janë larguar dhe nuk iu intereson në atë masë sikur iu ka interesuar më herët”.

Po ashtu, ikja e nxënësve është duke ua rrezikuar edhe vendin e punës një numri të mësimdhënësve.

“Çdo ditë kemi pakësim të numrit të nxënësve. Vazhdimisht kemi largim të tyre. Për ne, por sidomos për vendin, është vërtet një pasqyrë jo e mirë. Nuk është aspak situata e mirë për vendin tonë. Edhe ne si mësimdhënëse po ndihemi keq dhe në njëfarë forme e kemi paksa të rrezikuar vendin tonë”, ka thënë mësimdhënësja Sherife-Paqarizi.

Në dekadën e fundit, më shumë se 220 mijë qytetarë të Kosovës kanë lëshuar vendin, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK). Numri më i madh i qytetarëve, të cilët kanë emigruar nga Kosova gjatë periudhës 2010-2018, është shënur në vitin 2015, kur janë larguar brenda vitit mbi 75 mijë qytetarë. Ndërsa në vitin 2018, mbi 28 mijë persona vendosën të ikin nga vendi.

E, bazuar në raportin e Organizatës ndërkombëtare për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, OCDE, që ka titullin “Migrimi i fuqisë punëtore në Ballkanin Perëndimor: hatëzimi, adresimi i sfidave dhe benificionet” dhe që është publikuar në vitin e shkuar, arsyet e migrimit të popullsisë nga Kosova janë cilësia e mirëqenies dhe situata politike.

“Ritmi i ngadaltë i konvergjencës dhe hendeku i konsiderueshëm i zhvillimit me vendet e tjera evropiane kanë vazhduar të inkurajojnë qytetarët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor të kërkojnë mundësi punësimi dhe arsimimi jashtë rajonit”, shkruan në raport.

Edhe sipas një hulumtimi të Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), i publikuar në vitin 2021, emigrimi është shkaktuar kryesisht nga kushtet ekonomike.

“Shkaktarët kryesorë, të cilët kanë detyruar popullsinë të emigrojë, ishin dhe mbeten: niveli i ulët i zhvillimit ekonomik, shkatërrimet nga luftërat, si dhe situata jo e favorshme politike”, thuhet në hulumtim.

Instituti GAP, në një hulumtim të titulluar “Emigrimi i fuqisë punëtore të Kosovës në Gjermani”, thotë se një shkak tjetër është hyrja në fuqi të Ligjit të emigrimit në Gjermani në mars të vitit 2020.

“Të dhënat zyrtare tregojnë se shtetasit e Kosovës prijnë për nga numri i aplikimeve dhe pajisjen me viza pune në krahasim me vendet tjera të rajonit”, theksohet në raport.