Kolumne

Si të vritet Veran Matiqi

Një detaj u ka ikur autorëve të dokumentarit ku shpallet tradhtia e madhe e Veran Matiqit. Kur erdhi për herë të parë pas lufte në Kosovë, ai shprehu dëshirën për të vënë lule në varrin e Fehmi Aganit dhe Bajram Kelmendit e të djemve të tij, Kastriotit e Kushtrimit. Vuri lule te varrezat duke u përkulur si një njeri për tjetrin, si serbi për shqiptarin e vrarë në emër të gjoja serbizmit, si veprimtari i lirisë për bashkëveprimtarin e lirisë, si një çlirim personal

1.

E shikova një dokumentar që u transmetua në tri televizione të afërta me presidentin e Serbisë (ka edhe të tjera të afërta, por këto tri janë si të thuash të dëshmuara në ortodoksinë e tyre, jo atë të krishterë por politike) me titull “Kohë e keqe”. Emisioni shpjegonte, me burime që tingëllonin si të dosjeve të UDB-së , se si prej viteve nëntëdhjetë  ideologu dhe kreu operativ i tërë lëvizjes qytetare kundër Serbisë, serbizmit dhe pushtetit të Milosheviqit, Sheshelit dhe në fund presidentit të tanishëm është Veran Matiq. Emisioni nuk kishte nevojë të tregonte burimet- në stilin tradicional të shërbimeve sekrete serbe, prej Cërna Rukës deri te Shërbimi i sigurimit shtetëror- mjafton të thuhet se Veran Matiqi është tradhtari më i madh serb, provat do të vijnë vetë një ditë.
Me Veran Matiqin kam njohësi e miqësi ka 30 vjet e më shumë (autorëve të dokumentarit nuk u ikën ky detaj, duke më cilësuar se si njëkohësisht duke qenë mik i tij jam edhe propagatori kryesor i idesë së Kosovës së pavarur). Unë jam aty së bashku me George Sorosin , administratën amerikane e britanike, ambasadorë e gazetarë të njohur, me kroatët e “popujt e tjerë antiserbë”, me studentë e figura të shoqërisë civile serbe- një listë e gjatë njerëzish që duhet të arsyetojnë pse Veran Matiqi është i vdekur në serbizmin e tij. 
Kjo tash shërben për përgatitjen e vdekjes tjetër, asaj fizike.

 

2.

Verani e di mirë këtë punë. 
Përgjatë disa vjetëve ka qenë në krye të Komisionit për hulumtimin e vrasjes së gazetarëve, më të njohurin prej tyre Sllavko Quruvija, pronarin e “Dnevni Telegrafit”. Pas shumë vjet pune, me kontributin e njerëzve në institucione të Serbisë që donin ta gjenin të vërtetën, u gjetën vrasësit e tij, u gjet edhe zinxhiri komandues që dha urdhrin dhe u gjet lidhja mes Mira Markoviqit, gruas së Sllobodan Milosheviqit dhe motivit të vrasjes. Mira Markoviq në ditët e bombardimeve më 1999 kishte përdorur për Quruvijan pak a shumë të njëjtin vokabular që përdorin autorët e dokumentarit sot  kundër Matiqit: elaborim i “tradhtisë”.
Vrasësit  – një grup tipik kriminelësh të integruar në Shërbim të sigurimit apo pjesëtarësh të Shërbimit të Sigurimit të integruar në krim, krejt njëjtë-u dënuan në shkallë të parë. Ishte kremte e madhe për gazetarët e pavarur të Serbisë dhe fitore e Veranit. Vrasësit u ankuan dhe në shkallë të dytë u liruan.
Për Veranin ky ishte sinjal i qartë, vrasësit janë sërish në rrugë, tashmë të liruar nga çfarëdo përgjegjësi ligjore a morale.

 

3.

Puna e tij me këtë Komision është një pjesë jo shumë e njohur e jetës së Veranit të viteve të fundit.
Edhe pse në vitet nëntëdhjetë ishte ndër figurat kryesore demokratike të Serbisë, i angazhuar konkretisht për lirinë e medieve e duke udhëhequr Radion B92 si një qendër rrjetëzimi të zërit demokratik, me zgjedhjen e Vuçiqit për kryeministër e pastaj president ai iu përgjigj pozitivisht ftesës së këtij të fundit që të merret me çështjen Quruvija dhe po ashtu me çështje të tjera që mund të ndikonin në përmirësimin e marrëdhënieve mes Serbisë e Kroacisë, gjegjësisht Serbisë e Kosovës.
Sa i përket Kroacisë, Verani u vu në krye të hulumtimit për të zhdukurit në luftën e Kroacisë. Numri i të zhdukurve në këtë luftë ishte ende i madh-serbë e kroatë- dhe Verani u përpoq që shërbimet e sigurisë në Serbi të jepnin më shumë informata duke marrë përgjigje reciproke nga ato kroate dhe kështu gradualisht të gjendeshin të vrarët e hedhur në varreza të pashenjë.
Sa i përket Kosovës, doli një rast që nuk ishte pritur. Gjatë investigimit të çështjes Quruvija dolën detaje që mund të lidheshin me vrasjen e vëllezërve Bytyçi. Ylli, Agroni dhe Mehmet Bytyçi ishin ushtarë shqiptaro-amerikanë të UÇK-së të cilët duke transportuar pas lufte një fqinj të tyre drejt kufirit me Serbinë hynë pa dije në territorin e Serbisë, u arrestuan dhe u dënuan. Pasi që u liruan nga burgu u ekzekutuan me plumb në kokë e duar të lidhura me tel. Për Vuçiqin, i informuar nga Verani për këtë zbulim, gjetja e vrasësve të vëllezërve Bytyçi dhe procesimi i tyre do të ishte një sinjal Kosovës e përpjekjes për distancim nga e kaluara dhe doli në konferencë shtypi duke kërkuar që me këtë çështje të merrej komisioni i Matiqit. Një motiv shumë më madhor për presidentin e Serbisë ishte se me këtë do të fillonte të përmbushej obligimi që ekziston në marrëdhëniet SHBA-Serbi. Vrasja e vëllezërve Bytyçi për çdo administratë amerikane, të kaluar e të ardhme, do të jetë vrasje e tre qytetarëve amerikanë. Vrasja e vëllezërve Bytyçi për çdo qeveri të Kosovës, të tanishme e të ardhshme, do të jetë çështje që do të kërkojë zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Verani m’i ka shpjeguar disa herë zhvillimet në të dyja drejtimet dhe duke ndier mosbesimim tim më ka thënë që as ai nuk është se beson plotësisht, por i beson vetes se këto gjëra duhet të bëhen. Shumë miq tanë të përbashkët e kanë parë këtë me befasi, habi dhe disa madje me përshtirje.
Çdo herë që m’i shpjegonte, vinte me një veturë të blinduar dhe dy policë të mbrojtjes së afërt. 
Në një renditje të afërt gjërash, Matiqit iu hoq mbrojtja e afërt e më pastaj iu hoq dënimi i vrasësve të Quruvijas.
Vrasësit e vëllezërve Bytyçi janë po ashtu në liri.

 

4.

Një detaj u ka ikur autorëve të dokumentarit. Kur erdhi për herë të parë pas lufte në Kosovë Veran Matiqi shprehu dëshirën për të vënë lule në varrin e Fehmi Aganit dhe Bajram Kelmendit e të djemve të tij, Kastriotit e Kushtrimit. 
Vuri lule te varrezat duke u përkulur si një njeri për tjetrin , si serbi për shqiptarin e vrarë në emër të gjoja serbizmit, si veprimtari i lirisë për bashkëveprimtarin e lirisë; si një çlirim personal.
Profesori Agani e Bajram Kelmendi para se të ekzekutoheshin kishin një rrëfim të gjatë demonizimi kundër tyre. Profesori Agani ishte njëri prej ideologëve kryesorë të “separatizmit shqiptar” e Bajram Kelmendi njëri prej mbrojtësve kryesorë juridikë të “separatistëve e terroristëve shqiptarë”. Ata që do të shtinin kundër profesorit Agani dhe Bajram Kelmendit, kishin tashmë arsyetimin për ta bërë. E kishin edhe për Kastriotin e Kushtrimin - të qenët zgjatim biologjik të Bajramit qe shpjegim i mjaftueshëm për t’i vrarë. Fundja, edhe po të mos ishin farefis, ishin shqiptarë.
Veran Matiqi u përpoq atë ditë të hapë rrugën për një faqe të re të marrëdhënieve mes popujve tonë, ashtu siç kishte bërë gjatë pushtetit të Milosheviqit. Autorëve të dokumentarit ky gjest me gjasë nuk do t’u pëlqente, gjegjësisht do të jetë edhe një dëshmi shtesë të tradhtisë së tij. 
Autorët e dokumentarit janë një organizatë që quhet “Qendra për stabilitetin shoqëror”, një emër që duket si të ketë dalë nga “1984” i Orwellit. “Qendra për stabilitetin shoqëror” ka përcaktuar tradhtarin më të madh të Serbisë, Veran Matiqin, njeriun që prej kohësh po sjell destabilitet shoqëror. Rrjedha logjike është që për ta ruajtur “stabilitetin shoqëror” tash duhet hapi i ardhshëm të cilin në Serbi e autorizon një person.