Një ndër sfidat kryesore të Kosovës është gara e vazhdueshme për kujtesë: çka është ajo që duam të mbajmë mend? Zgjidhja mund të kërkohet në hapësirën evidente, siç është ideja e Ditës së Lirisë, si një ndër opsionet e mundshme.
1.
Çka kanë të përbashkët piramidat e Gizës, shënimi i një masakre në akëcilin vend të Kosovës dhe një ditë në Holandë ku të gjithë qytetarët ndalen për dy minuta në heshtje?
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoQë të tria janë pjesë të asaj që dr. Jan Assmann përshkroi për herë të parë si “kulturë kujtese”. Dr. Assmann arriti këtë formulim, si egjiptolog që është, duke konstatuar se piramidat në Egjipt u ndërtuan për mbamendje. Faraonët i përkisnin një kulture e cila kishte konstatuar se objektet që shënojnë vdekjen dhe rrëfimet brenda tyre (hieroglifët, objektet artistike dhe ushqimi që përcjellin të vdekurin në botën tjetër) japin jetë pas vdekjes. Vdekja që mbetet e pashënuar përfundon me kaq.
Dhe kultura e kujtesës si koncept pastaj shpërndahet gjithandej, megjithëse format e saj ndryshojnë ndjeshëm nga një shoqëri në tjetrën dhe nuk ndjekin gjithmonë të njëjtin model zhvillimi, transformohet në rrëfime e mite, monumente e shtatore, madje në fund, sikur në Holandë, në dy minuta heshtje të të gjithë qytetarëve të vendit, të ndalur kudo t’i ketë zënë sirena kundërajrore që lajmëron fillimin e ritualit. Më 4 maj—dhe më ka rastisur të jem aty në një datë si kjo—i tërë vendi ndalet për të shënuar viktimat e Luftës së Dytë Botërore, ushtarë e civilë.
Dr. Jan Assmann do ta quante këtë moment, kur koha prej dy minutash bëhet arkitekturë, shenjtërim i kujtesës dhe po aq me rëndësi, shndërrim të tërë popullatës së vendit në “komunitet të kujtesës”. Kjo është njëra prej pikave më të larta të mundshme të identitetit kolektiv, e arritur në kushte të caktuara historike dhe institucionale, një pikë ngjizëse për një shoqëri që kalon edhe nëpër një transformim multikulturor.
2.
Shënimet e masakrave në Kosovë janë pjesë të një procesi që ende nuk është plotësisht kulturë kujtese, ndonëse përmban elemente të saj në zhvillim. Ditë pas dite shënohen ngjarjet e tmerrshme në njërin e pastaj tjetrin lokalitet; del njëri e pastaj tjetri rrëfim i viktimave. Në ditët kur nuk ka shënime të ditëve të masakrave, ka shënim të betejave të luftërave; që të gjitha të shpërndara, çdonjëra me një rrëfim të vetin.
Në studimet e kujtesës, Kosova paraqet rastin e një vendi në tranzicion kujtese, një fazë që në vetvete nuk është e pazakontë dhe mund të shihet edhe si hap i ndërmjetëm drejt konsolidimit të saj, e që ballafaqohet paralelisht me së paku dy sfida. E para është “kujtesa komunikative”, pra si shoqëri me një pjesë të madhe të popullatës që mban mend ngjarjet e tridhjetë vjetëve të fundit, ende është kujtesë e cila përflitet në përditshmëri—ende nuk është kujtesë e pranuar a njohur nga të gjithë. Dhe së dyti, jetojmë në garë ngjarjesh e kujtimesh, e cila ndonjëherë mund të reflektojë edhe pluralitetin e përvojave historike dhe sociale: çdo masakër, çdo betejë, çdo personazh është në garë për vëmendje publike. Jo rrallë, kjo garë merr edhe konotacion politik.
Ka shumë përkujtimore. Ka shumë vizita, fjalime, vendosje kurorash dhe përvjetorë. Vetë rrjedha e lajmeve protokollare të përditshme tregon se sa dendur është i mbushur kalendari me akte përkujtimore. Por dendësia e përkujtimit nuk prodhon domosdoshmërisht kujtesë kulturore të thellë, megjithëse ka vlerë të rëndësishme për komunitetet lokale dhe familjare. Ndonjëherë prodhon të kundërtën: shumëzim ritualesh pa integrim konceptual.
Kështu, ekziston rreziku që të bëhemi pengje të një rituali i cili nuk arrin të kalojë në stad tjetër.
Me fjalë të tjera, Kosova kujton shumë, por nuk u ka dhënë ende përgjigje të plota pyetjeve:
Cili është parimi renditës i përkujtimit?
Cilat data janë lokale, cilat komunale, cilat kombëtare dhe cilat qytetare-kushtetuese?
Cila është marrëdhënia ndërmjet martirizimit, viktimave civile, personave të zhdukur, dhunës seksuale, rezistencës paqësore e të padhunshme si dhe asaj të armatosur, çlirimit dhe shtetësisë?
Cila është marrëdhënia ndërmjet përkujtimit dhe bashkësisë politike të së ardhmes?
Kush e përcakton rendin e kujtesës dhe me çfarë legjitimiteti institucional e shoqëror?
3.
Mbase kjo pyetja e fundit, e ndërlidhjes të kujtesës dhe bashkësisë politike, gjegjësisht identitetit shtetëror, është ajo që e pret Kosovën për të bërë hapin vendimtar që e bëri Holanda (apo Izraeli, Franca, Britania e Madhe, Gjermania e kështu me radhë). E ky hap mund të jetë identifikimi i një dite, i një momenti, i një ideje që përmbledh tërë atë kujtesë të shpërndarë ditë pas dite duke mos arritur momentin e ngjizjes.
Në garën mes datave të ndryshme historike, nuk shoh një datë që mund të përmbledhë më shumë integrim kujtese se sa dita e lirisë, më 12 qershor të vitit 1999, megjithëse për disa grupe data të tjera mund të kenë peshë të krahasueshme simbolike. Atë ditë, me hyrjen e forcave të NATO-s u arrit fitorja për ta ruajtur Kosovën dhe popullin e saj, tërësinë tokësore të vendit, mundësinë e kthimit të të dëbuarve, krijimin e kushteve për një proces demokratik e paqësor për rindërtim të vendit e për vetëvendosje. Që të gjitha këto me përkrahje historike të Perëndimit, e në masë të madhe me përkrahje të OKB-së. Kthesa ekzistenciale e Kosovës simbolizohet në masë të madhe me këtë ditë, si kulm i një procesi më të gjatë historik.
Dhe, në këtë ditë Kosova mund të synojë të përbashkojë një pjesë të madhe të kujtesës së saj, duke qenë e vetëdijshme për kufijtë e një përfshirjeje të plotë. I tërë vendi mund të krijojë momentin e vet sakral, të atij dyminutëshi kur mbajmë mend rrugën e gjatë për liri. Në të njëjtën ditë, atë të lirisë, nuk do të duhej të ndaheshin dr. Fehmi Agani, Adem Jashari e familja e tij, familjet e vrara në Likoshan, Qirez, Mejë e cilëndo masakër tjetër të Kosovës, Agim Ramadani e Salih Çekaj, Zahir Pajaziti e Mujë Krasniqi. Në të njëjtën ditë kur të vihen lulet te varri i Ibrahim Rugovës, do të përkujtonim minatorët e Trepçës dhe marshin e tyre paqësor e grevën e tyre të urisë. Në të njëjtën ditë kur do të përkujtonim delegatët e 2 korrikut do të përkujtonim edhe ata që sollën Kushtetutën e vitit 1974.
Në atë ditë, jashtë historisë e përkujtimit nuk do të mbeteshin mësuesit dhe çdo shkollë në çdo skaj të Kosovës dhe çdo gjuhe të saj; ata që nxorën një popull analfabet në dritë. Kjo ditë është e mjekëve dhe e profesorëve, inxhinierëve e profesionistëve të tjerë, është e Universitetit, e të burgosurve politikë, e gazetarëve, aktorëve të teatrit, këngëve të Nexhmije Pagarushës, poezive të Sat Nokshiqit e shokëve të tij. Megjithatë, integrimi i të gjitha këtyre përvojave në një narrativë të vetme kërkon një shkallë të lartë konsensusi shoqëror që mund të jetë ende në ndërtim.
Megjithëse ndërtimi i një kulture të përbashkët kujtese është një proces afatgjatë që kërkon jo vetëm simbole dhe data, por edhe institucione, arsim dhe praktikë të qëndrueshme publike, propozimi për një datë mund të shihet si ftesë për debat të mëtejshëm shoqëror.
Në atë debat propozoj që kujtesa e 12 qershorit të shihet si kujtesa e një populli në proces të mbërritjes drejt një identiteti më të plotë si bashkësi politike.
4.
Kosova më 12 qershor mund të konsiderojë bashkimin rreth lirisë si një projekt të përbashkët, atë të ndërtuar nga bijtë e saj gjeneratë pas gjenerate e të përkrahur me vendosmërinë e çlirimit nga demokracitë perëndimore të përfaqësuara me NATO-n.
Liria e cila synon ta bashkojë Kosovën ka emra.