Një vajtim për kohën, kur gazetaria hala e kërkonte të vërtetën
Diskutimet mbi çështjet e shqipes standarde asokohe shëmbëllenin si duele futbolli me tifozëri të zjarrta dhe ftesa që m’u bë qe e tillë. Njëfarë biçimi i Get in the ring!
Një zë gruaje me nyjëtim lozonjar të Tiranës po më tregonte se Ai, njëri ndër moderatorët më të shquar të televizioneve në Shqipëri, po më ftonte në një diskutim mbi shqipen standarde dhe aty do të bisedoja me disa nga kolegët e koleget e mia nga Shqipëria.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKisha rastisur në Tiranë në një konferencë dhe, pse jo, pranova.
Do të ketë qenë kjo më shumë se nja pesëmbëdhjetë vjet më parë dhe ende mburresha me gazetarinë në Kosovë. Jo aq me atë në Shqipëri. Prandaj, as nuk e mbaja mend ta kisha shikuar ndonjërin nga debatet e këtij moderatori që kishte/ka nam më shumë se cilido yll estrade.
Studioja ishte e bukur dhe diskutimi i pritshëm. Së shpejti, biseda do të shndërrohej në ndarje në dy taborre: preskriptiviste në një anë dhe deskriptiviste (ku bëja pjesë unë) në tjetrën e, megjithatë, argumentimi mes njerëzve të arsimuar, nuk po bëhej me ngritje zëri, ndërhyrje, etiketime e ngërdheshje, por me durim e respekt. Ajo që po diskutohej ishte një betejë mendimesh diametralisht të kundërta mes dogmës dhe studimit dhe, mua m’u duk, se qe shumë i vlefshëm dhe i thellë si rezultat. Po të transkribohej, do të mund të dilte një doracak për së mbari i mendimeve në albanologji.
Moderatorin nja dy herë m’u desh ta korrigjoja, me terbie, për çështje të gjuhësisë. Gjë normale. Nuk është gjuhëtar.
U ktheva në Prishtinë dhe po e prisja emisionin. Disa nga të njohurit e mi kishin shkëlqim në sy: Te Ai ki me dalë a? Atë ditë doli një tjetër debat dhe ishte herë e parë që ndoqa nja 15 minutat e parë të shfaqjes së moderatorit. Ishte një aso shfaqjeje, ku pjesëmarrësit dhe pjesëmarrëset, në dukje të parë civilë, me kollare e butonë të artë në këmisha të bardha, bërtisnin, hidheshin në fjalamujtje, ironizonin, fyenin, ndërprisnin tjetrin/tjetrën. E ndërrova kanalin së shpejti. Një porn i paedukatës dhe i provincializmit.
Emisioni nuk doli as në ditët e javët në vijim dhe, dikur, një nga koleget nga Tirana, më mori në telefon për diçka tjetër dhe kur e pyeta për emisionin më tha: “Ah, ai emision nuk do të transmetohet kurrë… Kemi qenë shumë të kulturuar… nuk u zumë me grushte”.
Shyqyr që në Kosovë nuk ka këso televizionesh, pata menduar atëbotë. Rroftë gazetaria e Kosovës, më e mira në Ballkan!
Nga ai urim, ndërkohë, nuk ka mbetur as Rr-ja.
Ajo që dikur ishte krenari jona, është shndërruar në modën që po vinte nga emisione, si ai që nuk lëshonte biseda të civilizuara. Të bësh shfaqje të tilla është lehtë dhe njerëzit shpesh zgjedhin të lehtën para së duhurës. Ajo modë erdhi edhe në Kosovë dhe u bë përditshmëri.
Sado që përpiqem të mos shoh asnjë debat të tillë në televizion, këtë herë ishte dita e zgjedhjeve dhe kureshtja të shtyn të shohësh mos do të thuhet ndonjë analizë e mirëfilltë. Në fund, përfundon duke luajtur tetris me telepilotin, ndërsa kanalet ndërrohen njëri pas tjetrit, duke pasur të njëjtin rezultat: injorancën e zhurmshme, si një nga veçoritë themelore të epokës, në të cilën jetojmë.
Injoranca këto ditë shtrihej nga mosnjohja bazike e matematikës, deri te paaftësia për të kuptuar e interpretuar një tekst të thjeshtë e që janë dy pikat kryesore, ku edhe nxënësit e nxënëset e Kosovës dështojnë në Testin Pisa. (Mbi tetëdhjetë për qind me rezultate të dobëta në lexim dhe në matematikë më 2022). Do të jetë pasojë e mosshkollimit kjo sjellje televizive? Apo testet pasqyrojnë ato që mësohen nga televizioni?
Në shikim të parë duket se është sjellje normale në një shoqëri të spektaklit dhe Guy Dubort thotë se spektakli nuk ka esencë, bëhet vetëm për vete: për vetë spektaklin.
Ky spektakël e prodhon zhurmën. Kur kjo zhurmë vjen me palë interesi dhe paqartësi të qëllimshme, atëherë hyn në përkufizimin shkencor të bullshitingut.
Bullshitingu është një komunikim që shpërfill të vërtetën dhe procesin e kërkimit të së vërtetës (në terma të autorëve si Harry Frankfurt).
Kur ai bariu bërtet: është ujku, është ujku, ai e di se cila është e vërteta dhe, megjithatë, thotë një të pavërtetë. Kjo e bën bariun gënjeshtar. Mirëpo, kur dikush bërtet: është ujku, është ujku, pa e ditur a është dikush a jo, pa e ditur a është ujk a çka është ujku, atëherë ai/ajo është duke realizuar bullshiting.
Në shqipen ka disa kandidatë të përshtatshëm për ta zëvendësuar termin Bullshit në këtë kuptim (se preskriptivistet do të reagojnë, duke kërkuar fjalë më të shqipëruar): pallavra, broçkulla, gjepura, muhalife e kështu me radhë, me nuanca kuptimore të vogla mes vete, por asnjë nuk është më i përshtatshëm se shprehja „me hongër m.t“.
Mirëpo, ka dallim edhe „qysh han m.t“ dikush. Dallimi është se kur dikush është „duke hëngër“ me zë të lartë, me ton eksperti, me vetëbesimin se fjalët e shumta dhe zhurmat mund ta zëvendësojnë dijen, qai/qajo është në përkufizimin e bullshitingut.
Formati e kërkon këtë. Mund të mos jetë faj i individëve, por i modelit. Një emision që vlerëson zënkat dhe përlamjet, decibelët dhe çaraveshjet mbi faktin, temperaturën mbi dritën, nuk prodhon debat. Prodhon spektaklin bosh dhe iluzionin e opinionit publik. Ne e shikojmë. Disa e marrin shembull. Disa jo. Mirëpo, të gjithë mësohemi me të.
Edhe vetë hyra në këso vorbulle njëherë. Kur u përballa jo me argumente, por me bullshiting, në një emision tjetër, reagova jashtë natyrës sime.
Mirëpo, këtu jemi tani. Nga ai debati i papublikuar i më se 15 vjetëve më parë e deri sot ka pasur një ndryshim themelor në mediumet e Kosovës. Për të keq.
Gazetaria e mirëfilltë nuk fillon me pyetjen: Kush e fitoi debatin? Fillon me pyetjen: Çka është e vërtetë? Janë dy pyetje në dy ekstreme të ndryshme, përgjigjet e të cilave e përkufizojnë një shoqëri. Shoqëritë, ku dominon pyetja e dytë janë shoqëritë, në të cilat do të doja të jetonim.
Kur nuk e lëshuan emisionin, në të cilin nuk u kapëm grushte për shqipen standarde, nuk u interesoi as pyetja: kush e fitoi debatin?
Në shoqëri të tillë, e vërteta mbetet jo vetëm fshehur, por edhe e parëndësishme.
Në kohën, kur ende thosha: Rroftë gazetaria e Kosovës! – një gazetare që e kisha trajnuar në fillet e karrierës e që tash kishte marrë një çmim të rëndësishëm për ekselencë gazetarie, erdhi të më falënderonte.
- Të falemnderit që më ke mësuar të shkruaj, më tha.
- Jo, i thashë. Shpërblimin nuk e ke fituar për teknikat e shkrimit. E ke fituar se ke kërkuar me durim dhe vetëmohim për të gjetur të vërtetat që i ke publikuar. Shpërblimin e ke fituar se ke qenë e ndershme në punën tënde dhe ndaj vetes. Këtë nuk mund të ta mësojë askush… Sa për shkrimin: ende nuk ke mësuar të shkruash.
Me fjalë të tjera: Vakt, o vakt!