Nuk duket të ketë shumë dyshim se VV-ja sërish i fiton zgjedhjet, por 60% i ëndërruar i Kurtit duket science fiction i dëmshëm për demokracinë e brishtë të Kosovës. Nga ana tjetër, mossuksesi eventual i binomit Osmani-Abdixhiku do t’i hapte rrugë të tretit që bën fushatë, ani që për vete thotë se nuk është anëtar i LDK-së, që ta marrë udhëheqjen e partisë, pavarësisht vargut të dështimeve të cilat i ka regjistruar si kryetar i kryeqytetit në pesë vjetët e fundit
Kush tha që fushata zgjedhore ia nis më 28 maj? Dikush që ka bërë hajgare, sepse ne e dimë se sa herë që shpallen zgjedhjet, fushatat nisin po atë ditë kur kjo bëhet publike.
Pra, edhe kësaj radhe nuk duhej pritur se do të ishte përjashtim. Njëherë qe puna kush me kë po lidhet në koalicion, e më pas se kush po ia del të hyjë në listat e kandidatëve të cilat gjithherë dhe pa përjashtim dorëzohen në çastin e fundit para se të skadojë afati.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoIshte iluzore të pritej që të gjithë ata që herën e shkuar kishin pasur vota më shumë, apo më pak, sipas numërimit në vendvotime do të hiqeshin prej aty – ngase në zgjedhjet e dhjetorit më duket se asnjëri nga kandidatët nuk kaloi pastër në rinumërim. Por, megjithatë, PDK-ja u përkujdes që kësaj radhe të mos e kishte Paçarizin në listë: rekorderin e votave të përvetësuara, të cilat, megjithatë, nuk ia siguronin ulësen në parlament dhe shfrytëzimin e mundësisë që të paguhej nga buxheti në periudhë transitore.
Nëpër lista me siguri se ka emra të rinj, asnjë befasi, ngase përherë përtëritja e zgjedhjeve u ka shërbyer partive t’i heqin nga lista ata që për një arsye a tjetër kanë “shkretuar” diçka. Por, edhe u ka shërbyer të bëjnë përzgjedhje njerëzish që në kushte normale nuk do të duhej të gjenin vend në lista zgjedhore.
* * *
S’do mend se befasia më e madhe qe emërimi si kandidat nga LVV-ja i një kleriku. Dhe është absolutisht irrelevante prej nga vjen, pavarësisht se kjo është, e besoj arsyeja, se pse u gjend në mesin e 110 kandidatëve.
Pra, absurdja e kësaj nis nga fakti ne VV-ja thotë të jetë e majtë – ajo e majta që supozohet se nuk njeh fe, por njeh ideologji. E dyta, futja në listë e një hoxhe aktiv në politikë e bën shumë problematike ndarjen mes fesë dhe politikës, posaçërisht duke e pasur parasysh nenin 8 të Kushtetutës që e përcakton Kosovën si shtet laik dhe neutral në çështjet e besimeve fetare.
Në shumë zgjedhjet parlamentare që janë mbajtur në Kosovë, secila parti ka pasur në lista e më pas edhe në grupe parlamentare njerëz që u përkasin rrymimeve të ndryshme konservatore/fetare, porse kjo është hera e parë që dikush e fut një klerik aktiv në listë, natyrisht për të fituar vota në trevën ku tradicionalisht kurrë nuk ka mundur të shkojnë përtej një limiti të ulët.
Dhe ani që historia e shqiptarëve këndej e andej kufirit ka njohur figura klerikale edhe në “formatin” e politikanëve. Kjo ngase përherë duhet pasur parasysh kontekstin në të cilin u patën angazhuar priftërinj e mullahë – qoftë në fillet e një shteti të ri të dalë nga robëria otomane; qoftë në kohën e mbijetesës gjatë okupimit serb në shekullin 20.
Në një situatë hipotetike ku imami do të mund të zgjidhej deputet, si do t’ia bënte që t’i kryente dy punë njëkohësisht? Avokatëve që bëhen deputetë nuk u lejohet ushtrimi i profesionit për shkak se marrin pjesë në hartimin e ligjeve dhe ka qasje institucionale dhe ndikim publik. Potencialisht mund të kishte konflikt interesi. E imami, a prifti, krejt njësoj, i futur në parti mund ta cenojë neutralitetin laik; mund të ushtrojë ndikim të drejtpërdrejtë të fesë në politikën e Kosovës dhe në vend se të merret me ithtarët e tij, futet në shërbim të një partie. Së paku me letra
Keq. Është lojë e keqe dhe e rrezikshme.
* * *
Pra, te bartësit e listave patëm ca ndryshime krahasuar me zgjedhjet e shkuara. Pas “bashkimit” me mjaft kundërshti në LDK, Osmani e mori numrin 1 në LDK e menjëherë pas saj, kryetari i Partisë, Abdixhiku. Porosia qe kjo: Osmani garon për kryetare të shtetit, kurse Abdixhiku për kryeministër – natyrisht me shpresën se futja e Osmanit në listë do ta rrisë LDK-në për aq sa të bëhet faktor pa të cilin nuk bën kur të vijë koha e ndarjes së karrigeve pas zgjedhjeve.
Kjo, natyrisht, nëse nuk shtyhen me inat aq sa për të na çuar në zgjedhje të reja pas pak muajsh.
Ndryshim në listë pati edhe te AAK-ja. Për herë të parë pas vitit 2007, kur për shkak se ishte në Hagë nuk u gjend i pari në listë, Haradinaj ia lëshoi rrugën Ardian Gjinit, të cilin ka kohë e ka shpallur “trashëgimtar” të udhëheqjes së partisë. Ai vetë e mori numrin 11, kurse i vëllai numrin 50 të cilin e bart ka disa palë zgjedhje tashmë.
Te partitë e tjera, Hamza e përsërit rolin, sikurse edhe Kurti, i cili veç në zgjedhjet e 2017-s dhe 2021-s nuk ka qenë bartës.
Garës pas shumë kohe i bashkohet PSD-ja, e cila qartazi e ka treguar se synimin e ka ta kalojë pragun dhe nga gara për të dytën herë bie NISMA Socialdemokrate, e cila është e vetëdijshme se fuqinë politike e ka të përqendruar në një komunë të vetme.
Përderisa nuk ka ndonjë dyshim të madh se fitues edhe e këtyre zgjedhjeve do të jetë VV-ja, ajo që, natyrisht, nuk dihet është se cila do të jetë përqindja e votave që do të arrijë t’i mbledhë. Ambicia e Kurtit për të arritur në 60% duket një “science fiction” dhe po të arrihej absolutisht do të ishte dëm tejet i madh për demokracinë edhe ashtu të brishtë të Kosovës.
Por ajo që do të përcillet me shumë vëmendje do të jenë zhvillimet dhe rezultatet e LDK-së. Mosrritja e mjaftueshme e LDK-së do të hapte rrugë që i treti që bën fushatë pa qenë, siç thotë ai vetë, anëtar i partisë e as garues për deputet të Kosovës, të bëhet me udhëheqjen e partisë brenda një kohe shumë të shkurtër pas zgjedhjeve. Pavarësisht vargut të dështimeve të cilat i ka regjistruar si kryetar i kryeqytetit në pesë vjetët e fundit.
* * *
Dhe derisa partitë po bëhen gati për ta nisur fushatën ende pa nisur ajo zyrtarisht, ndodhin eksese që nuk janë parë prej kohësh dhe të cilat i kthejnë traktorët e kamionët në rrugë në shenjë proteste.
Para dy ditësh ndodhi një sulm fizik, në një kafehane. I sulmuari kandidat për deputet i VV-së, sulmuesi kryetari aktual i Komunës së Skënderajt. Dy veta u arrestuan, dy veta shkuan në spital për ndihmë mjekësore dhe u liruan dhe Lushtaku nuk shkoi për t’u marrë në pyetje.
U tha se arsyeja e sulmit ishte se Mehani e kishte quajtur “Sami Serbia”. Ndërkohë, Mehani tha se arsyeja kishte qenë se e kishte ngritur çështjen e një keqpërdorimi milionësh në komunë. Çfarëdo të ketë qenë arsyeja, fotografia e Mehanit të përgjakur nuk qe fare e këndshme. Ashtu siç për qytetarët e Skënderajt nuk qe e këndshme vendosja e njësive speciale në qytet në mbrëmjen e ditës kur kishte ndodhur incidenti.
OVL-ja u lajmërua dhe i ftoi njerëzit që të mblidheshin para stacionit të policisë, “në përkrahje të Lushtakut”. Dhe, natyrisht, e gjithë vëmendja e opinionit u kthye andej. Sikur të na kthehej koha kur antagonizmi mes partish dëshmohej nëpërmjet dhunës dhe përdorimit të “mjeteve në dispozicion”. Përfshirë traktorët.
Dalja e njësive speciale në Skënderaj, vetëm për shkak se Lushtaku nuk kishte shkuar për intervistim ishte absolutisht e panevojshme. Sa rrahja ndodh nëpër Kosovë, nuk do të na dilte as gjysma e Kosovës e veshur në uniforma të speciales për të zgjidhur problem.
Mosshkuarja e menjëhershme e Lushtakut, ishte njësoj e panevojshme. Ishte cytje e drejtpërdrejtë e një reagimi më rigoroz të policisë dhe eventualisht arrestimi të dhunshëm. Për çfarë qëllimi? Për t’i fryrë zjarrit që të përhapet për një incident që nuk i pati përmasat tragjike. Pa fije nevoje. Apo mbase për qëllime zgjedhore.
Çfarëdo të jetë, kur ka kaq shumë urrejtje e ofendime që përhapen posaçërisht nëpërmjet rrjeteve sociale, nuk duhet shumë që diku të ndizet një shkëndijë. E cila nuk shpien askund dhe e cila, me gjithë hallakmën, nuk mund ta fsheh një fakt që do të duhej të na brengoste më shumë se Sami Lushtaku: çmimet, në muajin prill, krahasuar me periudhën e njëjtë vitin e shkuar janë rritur 7,5%. Kjo është alarmante. Kjo është çështje mbijetese. Këto të tjerat janë teatër.
Bajat!