Një sërë projektligjesh janë miratuar në vazhdimin e seancës të Kuvendit te Kosovës.
Pika e rendit të ditës për agjendën evropiane ka ngjallë reagime të Vetëvendosjes.
Donika Kadaj Bujupi nga Vetëvendosje ka thënë se “nuk mund të flasim për reformë në agjendën evropiane kur djemtë e kryeministrit vazhdojnë të fitojnë tenderë, të cenohet siguria në veri, të hiqet ligji për konfiskimin e pasurisë, të emërohet në AKI një zyrtar me aktakuzë të cilit vetëm një javë më parë i është tërhequr aktakuza”.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, i cili i ka dalë në mbrojtje kryeministrit Mustafa, duke i quajtur shpifje deklaratat e Kadaj Bujupit.
“Duke sulmuar të tjerët, nuk mund të fitoni benefite”, ka thënë Beqiri, ndërsa theksoi se kryeministri nuk mund të japë tenderë, raporton Koha.net.
Ndërkaq, fjalën sërish e ka marrë Donika Kadaj Bujupi, duke thënë se kryeministri, njëherësh kryetari i LDK –së, “vazhdon të mos e bëjë publik raportin financiar të partisë”.
Time Kadrijaj nga AAK tha se partia që ajo përfaqëson e ka shqyrtuar agjendën evropiane, duke theksuar se “çdo dështim të qeverisë në agjendën evropiane pozita mundohet të t’ia hedh fajin opozitës”.
“Lusim qeverinë që t’i zbatojë këto reforma vetë”, ka thënë Kadrijaj.
Ajo theksoi se NISMA e mbështet kalimin e Agjendës Evropiane e cila përbëhet nga tri shtylla: Qeverisje dhe sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, shkollimi dhe punësimi.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.