Bisedimet për arritjen e një armëpushimi në luftën midis Hamasit dhe Izraelit në Gaza, duket se janë në rrugën e duhur, derisa po synohet që një marrëveshje të arrihet para Ramazanit.
Shpresat për një armëpushim janë të mëdha edhe pas ngjarjes të së enjtes, ku qindra persona u vranë e qindra të tjerë u plagosën derisa po prisnin për ndihma në Gaza.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë të premten se nuk ka indikacione se diskutimet janë ndikuar nga ngjarja e fundit, ndonëse siç kanë thënë, shumë varet nga një përgjigje e pritshme e Hamasit se negociatat mund të ndikoheshin nga vrasja e qytetarëve palestinezë.
Menjëherë pas vdekjes së dhjetëra civilëve palestinezë në Gaza të enjten, zyrtarët amerikanë thanë se skenat kaotike kërkojnë urgjencë të shtuar në bisedimet e pengjeve dhe armëpushimit.
Presidenti Joe Biden bëri thirrje për një "armëpushim të menjëhershëm", të premten pasdite.
“Ne po përpiqemi të arrijmë një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit për kthimin e pengjeve dhe një armëpushim të menjëhershëm në Gaza për të paktën gjashtë javët e ardhshme, dhe për të lejuar rritjen e ndihmës për Rripin e Gazës”, ka deklaruar Bideni gjatë një takimi me kryeministren italiane, Giorgia Meloni në Washington.
Një zyrtar i lartë i administratës ka thënë më herët të premten se SHBA-ja është ende duke u përpjekur për të arritur një marrëveshje deri në Ramazan – tani vetëm rreth një javë larg.
Të përfshirët në diskutime kanë thënë se një marrëveshje ka të ngjarë të zbatohet në faza të shumta dhe pasi të arrihet një marrëveshje fillestare, ajo mund të çojë në një armëpushim që zgjat deri në gjashtë javë me një grup pengjesh izraelitë të liruar – duke përfshirë gra, fëmijë, pengje të moshuar dhe të sëmurë – në këmbim të një numri më të vogël të burgosurish palestinezë sesa kishte kërkuar fillimisht Hamasi.
Gjatë një armëpushimi, negociatat do të zhvillohen për tema më të ndjeshme si lirimi i ushtarëve izraelitë që janë peng, të burgosurit palestinezë që vuajnë dënime më të gjata, tërheqja e forcave të Izraelit dhe sjellja e një fundi të përhershëm të luftës.