INTERAKTIV

Çanak ripërsërit: Manastiret e Kosovës nuk janë serbe

Ish-politikani i njohur serb Nenad Çanak, duke komentuar deklaratat e tij se “nuk ka manastire serbe në Kosovë dhe se të thuash se manastiret në Kosovë janë serbe është një mashtrim i madh”, ka thënë se Kisha Ortodokse e Serbisë ka ekzistuar deri në vitin 1921. Sipas tij para saj ishte Kisha e Malit të Zi, Kisha e Serbëve në Austri, e kështu me radhë.

“Kur janë bashkuar, ato e kanë formuar Kishën ekzistuese Ortodokse Serbe. Manastiret e Kosovës nuk janë manastire serbe, sepse në momentin kur janë ndërtuar nuk ka pasur serbë në sensin modern të kombeve. Nuk kishte kombe. Kishte fise, në thelb. E tash manastiret ortodokse po quhen manastire serbe. A shihni ju ndonjë rast kur katolikët thonë: ‘Kjo është një kishë kroate’. Apo kishë hungareze. Apo për xhamitë, po ashtu, s’mund të thuhet. S’mund të thuash xhami turke apo xhami boshnjake. Jo. Është vetëm tempull i islamit”, është shprehur Çanak të hënën, në një intervistë në emisionin "Interaktiv" në KTV.

Sipas tij deklaratat e tij në Serbi shihen si tradhti.

“Vetëm manastiret serbe na qenkan serbe. Ky është një mashtrim. Por kur e thua kështu siç e them unë, ju po bëni tradhti. Sepse çdo pikëpyetje në shoqëritë jodemokratike është tradhti. Nënshtrimi është besnikëri ndaj atyre që ua shkatërrojnë të ardhmen dhe kjo është karakteristikë e çdo sistemi totalitar”, është shprehur Çanak.