Arbëri

Çanak: Kisha serbe është mashtrim i pastër

Nenad Çanak

Në një diskutim në podcastin PIKË me Veton Surroin, Nenad Çanak, lider i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, shprehu qëndrim kritik ndaj Kishës Ortodokse Serbe, duke e cilësuar atë si “mashtrim të pastër”.

Çanak argumentoi se ky institucion nuk është një kishë autentike serbe, por një strukturë që u krijua pas formimit të shtetit të Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve në vitin 1918. Ai theksoi se, përmes manipulimeve të shumta, Kisha Ortodokse Serbe ka arritur të pozicionohet si një entitet me ndikim të madh në Serbi, por pa pasur një lidhje të sinqertë me popullin serb.

Një tjetër pikë kyçe e diskutimit ishte lidhja e Kishës Ortodokse Serbe me politikën dhe pushtetin. Çanak theksoi se kisha është shumë afër regjimit, duke u bërë një degë e Beogradit për të ushtruar ndikim mbi shoqërinë. Ai kritikoi gjithashtu ndikimin e Kishës Ortodokse Ruse, duke e quajtur një sistem të ngjashëm dhe duke theksuar se kishat shpesh kërkojnë pushtet dhe para, duke e shfrytëzuar këtë për të ushtruar ndikim të madh.

Përveç kësaj, Çanak e hodhi poshtë pretendimin që kisha është “serbe” duke theksuar se, sipas kanoneve ortodokse, një kishë duhet të qëndrojë pranë besimtarëve të saj dhe të përfaqësojë interesat e tyre, diçka që sipas tij nuk ndodh me Kishën Ortodokse Serbe.

Në një moment tjetër të bisedës, Surroi theksoi se e gjithë kjo përzierje e religjiozitetit dhe politikës bëhet më rrezikshme kur lidhet me faktorët ndërkombëtarë, veçanërisht me qëndrimin e patriarkut Porfirije të Kishës Ortodokse Serbe ndaj Rusisë dhe ndikimin e saj në Ballkan. Kjo, sipas Surroit, është “kombinim i tmerrshëm” që mund të shkaktojë tensione të mëdha, sidomos duke përfshirë çështjen e Kosovës dhe aspiratat serbe për një “botë serbe”.


 

Lexo përditësimet tjera
Nenad Çanak

Nenad Çanak në PIKË me Veton Surroin

Në episodin e 25-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është themeluesi i...