Kandidatët për kryetarë komunash nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë intensifikuar fushatën teksa kanë mbetur edhe dy ditë. Në Gjakovë është përuruar objekti i një kishe protestante, në Suharekë është pasqyruar puna që po vazhdon të bëhet e në Klinë ajo që është bërë deri më tash
Kryetari i Gjakovës dhe kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës edhe për një mandat në udhëheqje të kësaj komune, Ardian Gjini, të enjten ka marrë pjesë në inaugurimin e objektit të ri të një kishe protestante.
Ai ka falënderuar organizatën “New Day Impact” nga Holanda për donacionin që ka mundësuar ndërtimin e objektit në fshatin Firzë.
Gjini ka bërë fushatë edhe në Shishman. Aty ka qenë bashkë me liderin e partisë – AAK, Ramush Haradinaj.
“Gjakova ka ndryshuar nën drejtimin e kryetarit Ardian Gjini. Investimet e shumta, infrastruktura moderne dhe shërbimet cilësore për qytetarët janë dëshmi e qartë e vizionit dhe vendosmërisë së tij. Sot ishim në Shishman të Gjakovës, ku u mirëpritëm ngrohtësisht nga banorët. Energjia dhe përkrahja e tyre për Ardian Gjinin është tregues i punës së mirë dhe besimit të fituar me rezultate konkrete. Ardiani është garanci e vazhdimësisë së transformimit të Gjakovës, me projekte të prekshme dhe qeverisje të përgjegjshme për çdo qytetar”, ka shkruar Haradinaj.
Gjatë ditës Gjini, që në balotazh do të përballet me Ardian Golën e Vetëvendosjes, ka postuar edhe një video të xhiruar me dron, ku janë pasqyruar punët e kryera gjatë mandatit që po e përfundon.
E Smajl Latifi gjatë të enjtes ka marrë pjesë në një organizim në Opterushë, ku është shënuar 27-vjetori i rënies së pesë dëshmorëve nga kjo komunë.
“Mbetemi të përkushtuar të punojmë pa u lodhur dhe pa u mërzitur për jetësimin e aspiratave të luftëtarëve të lirisë dhe të të rënëve në fushë të nderit. Punën, djersën dhe mundin ua kemi borxh brezave që vijnë pas nesh por, mbi të gjitha, e kemi peshë në ndërgjegje përmbushjen e synimeve madhore të dëshmorëve e heronjve, që ta ndërtojmë lirinë dhe të ecim krah popujve të civilizuar”, ka thënë Latifi.
Ai ka mbajtur një takim edhe me veteranët e luftës nga Rahoveci.
“Veteranët janë kategori e nderuar, ish-ushtarë të UÇK-së që i shërbyen kombit duke vënë veten në front përballë armikut, atëherë kur ishte koha e vendi. Qeverisje ime asnjëherë nuk do ta harrojë këtë kategori të shoqërisë sonë, duke i përkrahur brenda mundësive ligjore e kapaciteteve institucionale.
Faleminderit bashkëluftëtarë të mi, që sonte u bashkuat me mua në këtë tubim të veçantë!”, ka shkruar Latifi.
Latifi është kryetar aktual dhe kandidat i AAK-së edhe për një mandat në krye të Rahovecit. Ai përballë, më 9 nëntor, do ta ketë Ali Dulën e VV-së.
Bali Muharremaj është një tjetër kandidat i Aleancës që po kërkon mandatin e radhës. Ai gjatë ditës ka postuar një video nga pastrimi i lumit Toplluha në Suharekë.
E në orët e mbrëmjes ka mbajtur një takim në Budakovë, ku ka çmuar banorët e këtij fshati.
“Në kohët më të vështira qytetarët e Budakovës na kanë ndihmuar, na kanë ushqyer. Budakova na ka ndihmuar jo vetëm gjatë luftës, por edhe para luftës. Budakova ka pasur gjithnjë burra”, ka thënë Muharremaj.
Ai në rundin e dytë do të ballafaqohet me Ardian Shalën e LDK-së.
Zenun Elezaj po ashtu po bën fushatë për të mbetur në krye të komunës që udhëheq – Klinës. Ai të enjten ka postuar një video të fshatit Shtupel, ku shihen rrugët e saposhtruara me asfalt.
Në një shënim të shkurtër ai ka shkruar: “Fitojmë, sepse punojmë”.
E një natë më parë, të mërkurën mbrëma, në Klinë është mbajtur tubimi qendror i AAK-së, ku ka marrë pjesë edhe lideri i partisë, Ramush Haradinaj.
“AAK-ja është partia fituese në Klinë. Kjo është fitore e besimit tuaj, e punës sonë të ndershme, e përkushtimit për çdo fshat, çdo lagje dhe çdo qytetar. Por, gara nuk ka mbaruar. Tani jemi në rundin vendimtar, në një betejë që do ta vulosë fitoren e plotë të Aleancës dhe do ta përcaktojë rrugën e zhvillimit të Klinës për katër vjetët e ardhshëm”, ka thënë Elezaj.
Elezaj përballë në balotazh do ta ketë Sokol Bashotën e PDK-së, që po e synon kthimin në pushtetin komunal.
Një kthim të tillë po e synon edhe kandidati i AAK-së në Junik, Agron Kuçi.
Ai në një postim të gjatë ka kritikuar kryetarin aktual dhe kandidatin e LDK-së edhe për një mandat, Ruzhdi Shehu, për përvetësim të meritave lidhur me punët që, sipas tij, i ka kryer dikush tjetër.
Shehu e Kuçi do të përballen më 9 nëntor në balotazh.