Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

VV-ja shkon në 51 ulëse, e pëson AAK-ja

Lëvizja Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje ka mbërritur në 51 ulëse në Kuvendin e Kosovës, pas numërimit të rreth 20 për qind të votave me postë. Vetëm në këtë numërim ajo ka marrë më shumë se 69 për qind.

Është ulësja e tretë që i shtohet Vetëvendosjes nga numërimi i deritashëm i votave nga diaspora. Në votën preliminare, brenda vendvotimeve në Kosovë ajo siguroi 48 ulëse.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

E përderisa në dy ulëset e kaluara ajo zvogëloi mandatet e Partisë Demokratike të Kosovës (23) dhe Lidhjes Demokratike (19), tani një ulëse e ka humbur Aleanca që ka rënë në 7 nga 8 sa kishte nga projektimi i mëhershëm.

Matematikisht, po që se vazhdon trendi aktual në votat e mbetura, VV-ja mund të mbërrijë të paktën edhe një ulëse më shumë në Kuvend.

Në rezultatet e përgjithshme, VV-ja ka 44.6 për qind. PDK-ja është e dyta me 20.5, LDK-ja e treta me 17.26 e AAK-ja pak nën 7 për qind.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka tërhequr rreth 85 mijë zarfe me vota nga diaspora. Deri tash janë procesuar të dhënat e rreth 11 mijë votave.

Për formim të Qeverisë, por edhe zgjedhjen e kryeparlamentarit mjaftojnë 61 vota. VV-ja herën e shkuar e bëri e vetme Qeverinë në bashkëpunim me partnerët nga radhët e minoriteteve. 

E për presidentin kërkohet pjesëmarrja në votim e së paku 80 deputetëve. Pikërisht kjo çështje çoi vendin në zgjedhjet e 7 qershorit.

Në zgjedhjet e së dielës votuan rreth 725 mijë qytetarë, ndërkaq mbi 100 mijë shtetas që jetojnë jashtë vendi kanë votuar ose në përfaqësi diplomatike, ose nëpërmjet postës.