Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani kanë përafruar qëndrimet për marrëveshjen finale dhe sipas ndërmjetësve veçse është dakorduar për kornizën e një marrëveshjeje paqeje. E përderisa presidenti amerikan, Donald Trump dhe ndërmjetësi, Pakistani, presin nënshkrimin e saj shumë shpejt, Irani ka shprehur rezerva.
Presidenti amerikan Donald Trump ka theksuar se marrëveshja e paqes me Iranin është afër. Trumpi ka shprehur pritjen që nënshkrimi të bëhet të dielën, duke sinjalizuar zhvillim të shpejtë në negociatat që synojnë t’i japin fund konfliktit tremujor në Lindjen e Mesme.
“Marrëveshja është planifikuar të nënshkruhet nesër dhe menjëherë pas nënshkrimit të saj, Ngushtica e Hormuzit do të jetë e hapur për të gjithë”, ka shkruar Trumpi të shtunën në “Truth Social”, duke shtuar se administrata e tij po vendos “mur kundër armëve bërthamore” dhe se Irani nuk do të ketë më program të tillë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAi ka pretenduar gjithashtu se marrëdhëniet me Iranin janë në një fazë më të mirë krahasuar me administratat e kaluara dhe se “asnjë dollar nuk do të kalojë nga njëra palë te tjetra”.
Megjithatë, nga ana iraniane janë dhënë deklarata më të rezervuara. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baghaei, ka hedhur poshtë mundësinë që nënshkrimi të ndodhë të dielën, duke theksuar se procesi është ende i hapur.
“Do të duhet të presim dhe të shohim për datën e saktë të nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit, megjithëse nuk do të jetë nesër. Mundësia që kjo të ndodhë në ditët në vijim nuk përjashtohet”, ka deklaruar Baghaei.
Sipas tij, duhet kujdes në deklarimet publike për afatet, pasi procesi varet nga qëndrimet e palëve dhe ende nuk ka konsensus final për momentin e firmosjes.
Ndërkohë, kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif, vendi i të cilit ka ndërmjetësuar negociatat, ka deklaruar se palët kanë arritur dakordim për një kornizë të marrëveshjes dhe se nënshkrimi mund të ndodhë shumë shpejt.
“Me finalizimin që pritet brenda 24 orëve të ardhshme, Pakistani po përgatitet për nënshkrimin elektronik të marrëveshjes së paqes menjëherë”, ka thënë Sharif, duke e quajtur procesin “historik”.
Ai ka shtuar se synohet që marrëveshja të hapë rrugë për bisedime teknike në javën pasuese dhe për një paqe të qëndrueshme në rajon.
Nga ana tjetër, zyrtarë amerikanë dhe iranianë kanë sinjalizuar ditë më parë se një marrëveshje është afër. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka thënë se ajo mund të finalizohet këtë fundjavë, ndërsa ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi e ka konfirmuar progresin në bisedime.
Sipas Araghchi, marrëveshja përfshin edhe çështje të tjera rajonale, përfshirë përfundimin e konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut, si dhe hapa për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe heqjen e bllokadave ekonomike.
Megjithatë, situata në terren mbetet e tensionuar. Sipas raportimeve, forcat amerikane kanë rrëzuar dronë iranianë që po i afroheshin Ngushticës së Hormuzit, ndërsa Komanda Qendrore e SHBA-së ka konfirmuar se rruga ujore mbetet e hapur.
Paralelisht, Izraeli ka kryer sulme ajrore në jug të Libanit, duke urdhëruar evakuime në disa zona dhe duke shkaktuar viktima, sipas autoriteteve lokale.
Konflikti në rajon filloi pas sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit më 28 shkurt, ndërsa më pas u zgjerua me përfshirjen e Hezbollahut dhe përgjigjet iraniane ndaj objektivave ushtarake amerikane në Gjirin Persik.