Lifestyle

Omega-3 dhe ushtrimet me peshëngritje, kombinim që përmirëson shëndetin dhe forcën fizike

Omega 3

Omega 3

Acidet yndyrore omega-3 janë të njohura për rolin e tyre të rëndësishëm në shëndetin e trurit, syve dhe zemrës, por një studim i ri sugjeron se kur kombinohen me ushtrime me pesha, ato mund të ofrojnë edhe përfitime të tjera të konsiderueshme shëndetësore dhe fizike, ka raportuar HealthLine.

Në një studim të publikuar në revistën Nutrients, studiuesit zbuluan se burrat që merrnin suplemente me omega-3 gjatë një programi ushtrimesh me peshëngritje përmirësuan ndjeshëm nivelin e kolesterolit, treguesit e shëndetit të trurit dhe forcën fizike, krahasuar me ata që nuk morrnin suplemente.

“Kombinimi i omega-3 me stërvitjen me rezistencë solli përmirësime të dukshme jo vetëm në shenjat biokimike, por edhe në aspekte të rëndësishme të performancës fizike si forca muskulore, shkathtësia, koha e reagimit dhe fuqia”, thuhet në raportin e studimit.

Studimi u zhvillua në Turqi dhe përfshiu 30 burra të moshës 18-30 vjeç, me përvojë të mëparshme në ushtrime me peshëngritje dhe pa probleme kronike shëndetësore. Një grup prej 15 pjesëmarrësish morën 3,150 mg omega-3 në ditë, ndërsa grupi tjetër nuk mori suplemente.

Të dy grupet ushtronin tri herë në javë: një ditë për pjesën e sipërme të trupit, një për pjesën e poshtme dhe një ditë bënin ushtrime për tërë trupin. Dieta dhe kushtet e palestrës u standardizuan për të shmangur ndikimet e jashtme.

Rezultatet treguan se personat që morën omega-3 patën përmirësime të dukshme në shëndet dhe në formën fizike.

Përfitime për shëndetin:

-U ulën ndjeshëm nivelet e kolesterolit të keq dhe të yndyrave në gjak (triglicerideve)

-U zvogëluan shenjat e inflamacionit në trup

-U forcua sistemi imunitar

-U rritën përqindjet e disa substancave të rëndësishme për trurin, si dopamina, serotonina dhe BDNF (një proteinë që ndihmon kujtesën dhe përqendrimin)

Përfitime për trupin dhe performancën fizike:

-Forcë më e madhe në ushtrimin e shtypjes së gjoksit (bench press), me përmirësim prej 13.6%

-Rritje e fuqisë për ushtrimin “squats”, me 9.7% më shumë

-Lëvizje më të shpejta, më shumë shkathtësi dhe reagim më të mirë

“Fakti që këto përfitime u vunë re edhe te persona të shëndetshëm dhe aktivë tregon se omega-3 mund të jetë një ndihmë e vlefshme për sportistët dhe të gjithë ata që ushtrohen rregullisht”, thuhet në përfundim të raportit të studimi.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se rezultatet nuk mund të vlejnë menjëherë për të gjithë. Studimi përfshinte vetëm burra të rinj e të shëndetshëm, pa sëmundje kronike.

“Duke qenë se përjashton publikun e gjerë, mbetet e paqartë nëse përfitime të tilla do të vëreheshin në të gjithë popullatën”, ka thënë dietologia klinike Alyssa Kwan nga Stanford Medicine.

Omega-3 dhe jetëgjatësia

Edhe jashtë kontekstit të ushtrimeve, përfitimet shëndetësore të omega-3 janë domethënëse.

“Përmirësimet në profilin e yndyrave në gjak mund të ulin rrezikun për sulm në zemër, infarkt dhe rënie të aftësive të kujtesës”, ka thënë dietologia Kristin Kirkpatrick nga Cleveland Clinic.

Ajo ka shtuar se këto përfitime mund të ndikojnë drejtpërdrejt në jetëgjatësinë, veçanërisht kur kombinohen me aktivitet fizik dhe ushqyerje të shëndetshme.

Trupi nuk prodhon vetë omega-3, prandaj ato duhen marrë nga ushqimi si peshqit me yndyrë apo arrat dhe farat chia.

Suplemente me omega-3, në formë kapsulash ose vajrash, mund të ju ndihmojnë atyre individëve që nuk konsumojnë mjaftueshëm këto ushqime, ani se ekspertët preferojnë burimet natyrale nga ushqimi.

“Përfitimet shëndetësore mund të arrihen vetëm me dietë të shëndetshme, si për shembull duke konsumuar rregullisht peshk”, ka thënë Kwan.

Disa persona, si ata që marrin terapi për hollim të gjakut, duhet të shmangin suplementet me omega-3, prandaj konsultimi me mjekun ose dietologun është i domosdoshëm para fillimit të marrjes së çdo suplementi.