Rreziku për zhvillimin e demencës ndikohet nga shumë faktorë, përfshirë moshën, gjenetikën dhe historinë familjare. Megjithatë, studimet tregojnë se zakonet e përditshme mund të ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të trurit në afat të gjatë.
Lajmi i mirë është se nuk nevojiten rutina të komplikuara. Disa zgjedhje të vogla në mëngjes mund të ndihmojnë gjumin, hidratimin, qarkullimin e gjakut, humorin dhe përqendrimin, të gjitha të rëndësishme për shëndetin e aftësive njohëse, ka shkruar Eating Well.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDilni në dritën e mëngjesit menjëherë pasi zgjoheni
Sipas ekspertëve të trurit, një nga gjërat më të thjeshta dhe më të rëndësishme është ekspozimi ndaj dritës natyrale herët në mëngjes.
“Drita e hershme e ditës aktivizon qendrat në tru që kontrollojnë ritmin cirkadian, i cili luan rol të rëndeshim në cilësinë e gjumit, performancën njohëse dhe shëndetin afatgjatë të trurit”, ka thënë neurologu Jon Stewart Hao Dy.
Me fjalë të thjeshta, drita e mëngjesit i tregon trurit se dita ka nisur. Kjo ndihmon trupin të jetë më energjik gjatë ditës dhe të qetësohet në mbrëmje për gjumë më cilësor.
Gjumi është shumë i rëndësishëm sepse gjatë natës truri përpunon kujtesën dhe largon mbetjet metabolike.
Ekspertët rekomandojnë të kaloni 10 deri në 20 minuta jashtë pas zgjimit, edhe nëse nuk ushtroni fizikisht. Mund të pini kafen jashtë, të bëni një shëtitje të shkurtër ose thjesht të qëndroni në diell.
Pini një gotë ujë
Pas disa orësh gjumë pa konsumuar lëngje, shumë njerëz zgjohen të dehidratuar lehtë.
“Truri i njeriut përbëhet rreth 75% nga ujë. Kur niveli i ujit bie për shkak të dehidrimit, shpejtësia e përpunimit të informacionit dhe memoria dobësohen ndjeshëm”, ka thënë doktori Wilfred G. van Gorp.
Një studim i vitit 2025 ka zbuluar se personat e moshuar që konsumonin më pak lëngje kishin nivele më të larta të beta-amiloidit, një ndryshim në tru që lidhet me sëmundjen e Alzheimerit, forma më e zakonshme e demencës.
Pirja e një gote ujë sapo zgjoheni mund të ndihmojë qarkullimin e gjakut, përqendrimin dhe kujtesën.
Lëvizni trupin dhe shmangni qëndrimin ulur për kohë të gjatë
Nëse mëngjesin e nisni ulur para telefonit apo kompjuterit, ekspertët sugjerojnë të bëni disa lëvizje të vogla.
Nuk është e nevojshme të bëni një stërvitje intensive para orës 10, por lëvizja ndihmon qarkullimin e gjakut, energjinë dhe kthjelltësinë mendore.
“Aktiviteti fizik prodhon BDNF, një proteinë shumë e rëndësishme për riparimin dhe rritjen e neuroneve”, ka shpjeguar Van Gorp.
Studimet tregojnë se aktiviteti fizik mund të ndihmojë kujtesën, vëmendjen dhe shëndetin e trurit në afat të gjatë.
Një shëtitje 5-10 minuta, disa ushtrime për zgjatjen e muskujve apo edhe punë të vogla në shtëpi mund të jenë të mjaftueshme.
Planifikoni tri gjëra që do t’ju sjellin kënaqësi gjatë ditës
Sipas ekspertëve emocionet pozitive janë të mira për trurin.
“Kur nisni ditën, planifikoni tri gjëra që do t’ju sjellin gëzim dhe kënaqësi”, ka këshilluar Allison B. Reiss anëtare e këshillit të mjekëve të Fondacionit amerikan të Alzheimerit.
Studimet tregojnë se ndjenja e qëllimit në jetë, emocionet pozitive dhe kënaqësia lidhen me rrezik më të ulët për demencë.
Edhe ky zakon i vogël ndihmon trurin, sepse planifikimi aktivizon kujtesën, vendimmarrjen dhe të menduarit në mënyrë më të hapur e të përshtatshme.
Këto plane mund të jenë shumë të thjeshta të takoni një mik, të dilni për ecje, të lexoni, të shijoni një vakt të shëndetshëm e të merreni me një hobi.
Zakone të tjera që ndihmojnë shëndetin e trurit
Ekspertët rekomandojnë gjithashtu ndjekjen e dietës mesdhetare, që përmban ushqime të plota, që nuk janë të procesuara, yndyra të shëndetshme si vaji i ullirit, si dhe shumë produkte të tjera të freskëta, ndërkohë që anashkalohet përdorimi i shpeshtë i mishit të kuq, sheqerit dhe produkte të gatshme shumë të përpunuara.
Ata rekomandojnë edhe dietën MIND, e cila gjithashtu përmban ushqime të shëndetshme, por kryesisht me bazë bimore.
Gjumi cilësor e i rregullt, aktiviteti fizik i vazhdueshëm, kontaktet sociale, mësimi i aftësive të reja dhe leximin, gjithashtu ndihmojnë.
Sipas tyre, ani pse disa faktorë si mosha dhe gjenetika nuk mund të kontrollohen, zakonet e përditshme kanë ndikim të madh në shëndetin e trurit.