Ndonjëherë na ndodh të hamë më shumë seç duhet, qoftë një kuti me plot akullore ndërkohë që shikojmë ndonjë film, qoftë disa ëmbëlsira më shumë në një mbledhje familjare. Të nesërmen ndihesh rëndë, pak në ankth dhe me faj. Dhe pyetja e parë është: çfarë duhet të bëj tash?
Dietologët thonë se nuk ke pse të bësh asgjë drastike. Mos kufizo kaloritë, mos hiq karbohidratet, mos e ndëshko veten me ndonjë “detoks”. Më e mira që mund të bësh është të vazhdosh normalisht rutinën tënde të përditshme, ka shkruar Eating Well.
Hapi i parë që duhet të bëni
Ideja për të “rregulluar gabimin” duke vendosur rregulla të ashpra ushqimore vetëm sa e përkeqëson situatën.
“Rezistoni tundimin për të vendosur më shumë kufizime. Kthehuni te rutina, kujdesuni për veten, dëgjoni urinë dhe ngopjen, dhe synoni vakte e ushqime të rregullta me të gjitha vlerat ushqyese”, ka thënë dietologia Marrisa Beck.
Pra, mos e anashkalo mëngjesin. Përkundrazi, filloje ditën me një vakt të pasur me proteina dhe fibra, kjo ndihmon në ekuilibrimin e sheqerit në gjak dhe të mban energjik gjatë ditës. Duke ngrënë një mëngjes ushqyes, shmang dëshirën për ëmbëlsira dhe ngrënien e tepërt më vonë.
Për pjesën tjetër të ditës, ha vakte të rregullta. Shmang kalimin pa ngrënë, sepse kjo e shton urinë dhe mund të përfundosh duke ngrënë akoma më shumë në mbrëmje.
Beck sugjeron një strukturë të thjeshtë:
-Ushqim i lehtë paradite: kos i trashë (si ai grek) me manaferra, arra dhe fara chia.
-Drekë: një pjatë me drithëra të plota dhe proteina.
-Ushqim i lehtë pasdite: sallatë me qiqra.
-Darkë: peshk me perime dhe një sallatë të freskët.
Pse është e rëndësishme të kthehesh në rutinë
Dietologët theksojnë: jo dieta ekstreme, jo detokse, jo kufizime.
Kufizimi çon në ngrënie të tepërt, dhe ngrënia e tepërt të çon sërish te kufizimi. Është një rreth vicioz që duhet ndalur.
“Në disa momente të jetës do hash më shumë sheqer, kripë apo yndyrë. Ajo që vlen është pamja e madhe, zakonet e tua të përgjithshme të jetesës. Ne jemi njerëz”, ka thënë dietologia Alexis Silver.
Këshilla të tjera që të ndihmojnë
Bëj një shëtitje.
“Do të ndihmojë në uljen e sheqerit në gjak dhe të qartësojë mendjen. Një natë me tepërim nuk ta shkatërron shëndetin, por lëvizja e trupit të përmirëson humorin”, ka thënë dietologia Lisa Andrews.
Pij ujë.
Ndonjëherë ndjesia e rëndimit vjen nga dehidratimi, jo nga sheqeri.
“Shpesh, kjo ndjesi lodhjeje lidhet më shumë me mungesën e ujit sesa me konsumimin e sheqerit”, ka shpjeguar dietologia Alyssa Smolen.
Ji i mirë me veten dhe reflekto.
Mos e lidh ushqimin me moral. Asnjë ushqim nuk është “i mirë” apo “i keq”. Pyete veten: pse hëngra kaq shumë? A isha i/e lodhur? I/e mërzitur? Thjesht më shijonte shumë? Këto pyetje të ndihmojnë të kuptosh situatën dhe të veprosh ndryshe herën tjetër. Nëse episodet e ngrënies së tepërt përsëriten shpesh, bisedo me një profesionist të shëndetit mendor ose një dietolog.
Përfundimi i ekspertëve
Të gjithë hamë shumë sheqer ndonjëherë. Por nuk ka arsye për panik ose faj. Mos u zhyt në dieta të rrepta. Kthehu në rutinën tënde, ha vakte të balancuara, lëvize trupin dhe hidratoju.
Dietologët rekomandojnë që ta pranoni momentin, mësoni prej tij dhe ecni përpara.
Sipas Eating Well shëndeti yt përcaktohet nga zakonet e përditshme, jo nga një natë me shumë ëmbëlsira.