Ambasada e SHBA-së në Kosovë nuk ka ndarë hollësi në lidhje me veprimet e deklarimet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, shkaku i së cilave ka pezulluar dialogun strategjik. Të hënën, nga kjo ambasadë thanë se SHBA-së i duhet një partner që çon përpara stabilitetin rajonal e mbron të drejtat e të gjithë qytetarëve.
Shteteve të Bashkuara të Amerikës iu duhet një partner që kupton nevojën për të shmangur veprimet destabilizuese, kanë thënë të hënën nga Ambasada amerikane në Prishtinë.
Në një përgjigje për KOHËN, nga kjo ambasadë nuk treguan se cilat janë deklaratat e veprimet konkrete të qeverisë në detyrë, shkaku i së cilave ka ardhur deri te pezullimi i dialogut strategjik me Kosovën.
Por deklaruan se shqetësimet që kanë pasur i kanë shprehur në takimet që kanë zhvilluar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“SHBA-ja gjithmonë do të jetë mike e afërt e popullit të Kosovës, dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj partneritetit tonë. Megjithatë, SHBA-ja i nxit partnerët të punojnë në mënyrë konstruktive për ta siguruar stabilitetin dhe sigurinë. Ne duam të ecim para me qeverinë në detyrë, por na duhet një partner që kupton nevojën për t’i evituar veprimet destabilizuese dhe është i përkushtuar për të çuar përpara stabilitetin rajonal dhe t'i mbrojë të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne do të vazhdojmë t’i vlerësojmë veprimet e qeverisë në detyrë”, është thënë nga Ambasada.
Të premten, nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë, njoftuan për ndërprerjen e dialogut strategjik me Kosovën për një kohë të pacaktuar.
Sipas njoftimit, vendimi u mor pas shqetësimeve për veprimet e qeverisë në detyrë, e që siç thuhet në njoftim, kanë rritur tensionet dhe jo stabilitetin.
Vendimi erdhi pesë ditë nga mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ku kryeministri në detyrë kritikoi Gjykatën Kushtetuese.
E shqetësuar me Kurtin e Lëvizjen Vetëvendosje, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane, Anu Prattipati, është shprehur edhe në fund të muajit gusht.
Pas takimit me kryeministrin në detyrë, Prattipati pati deklaruar se janë duke u bërë përpjekje që të përjashtohen disa parti politike nga pjesëmarrja në zgjedhjet lokale, duke iu referuar kështu kundërshtimit të Vetëvendosjes për certifikimin e Listës Serbe.