Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Dështon seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të akuzuarve për vendosjen e barrikadave

Barrikadat - seanca e shqyrtimit fillestar

Ka dështuar të mbahet edhe seanca e shqyrtimit fillestar ndaj 6 të akuzuarve për vendosjen e barrikadave në veri të vendit më 2022. Sipas gjyqtarit Rrahman Beqiri, njëri nga avokatët ka njoftuar paraprakisht për mospjesëmarrje në seancë, e njëri nga të akuzuarit ka ikur në Serbi

Në mungesë të një avokati ka dështuar të mbahet edhe seanca e shqyrtimit fillestar ndaj 6 të akuzuarve për vendosjen e barrikadave në veri të vendit më 2022.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit kanë bllokuar rrugët kryesore me mjete të rënda, si kamionë të mbushur me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera.

Gjyqtari Rrahman Beqiri, tha se avokati i Millosh Radosavljeviqit, Mahmut Halimi ka njoftuar paraprakisht për mungesën e tij.

Mungesa pati edhe të të pandehurve. Për mungesën e të akuzuarit Dushan Maksimoviq, ai tha se është njoftuar njësia e transportit e Shërbimit Korrektues të mos e sjellë në seancë, kurse për mungesën e të pandehurit Nenad Orlloviq, tha se është njoftuar nga Policia se ka ikur në Serbi.

“Gjykata i ka dërguar ftesë të rregullte, zarfi i mbyllur është kthyer në Gjykatë, me konstatimin se është shpërngulur. Duke qenë se e ka ndërruar adresën, Gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, ku Policia e Kosovës me 16.07.2026, e ka njoftuar Gjykatën se kanë shkuar të ekzekutojnë urdhëresën, mirëpo banesa ka qenë e mbyllur, ndërsa nga kontakti me fqinje e tij, policia është njoftuar se ky person është shpërngulur për në Serbi”, tha Beqiri. 

Për këtë, prokurori special Admir Shala kërkoi të veçohet procedura penale ndaj Orlloviqit.

Edhe Dështon të nisë shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarve për vendosjen e barrikadave Arbëri 17 o. më parë Dështon të nisë shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarve për vendosjen e barrikadave

“Duke pasur parasysh që i njëjti nuk iu është përgjigjur as ftesës në Prokurori, propozoj që të veçohet procedura ndaj tij, në mënyrë që procesi të vazhdojë me të pandehurit e tjerë”, tha Shala. 

Në këtë rast, Dushan Maksimoviq, Milosh Radosavljeviq, Nemanja Joloviq, Dushan Dobrac, Sërgjan Vuniçiq dhe Nenad Orloviq, ngarkohen lidhur me akuzën për vepra penale kundër rendit kushtetues - saktësisht barrikadimin e rrugëve më 2022 në Komunën e Zveçanit.

Barrikadat ishin vendosur më 10 dhjetor 2022 për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë që të mos i lejojë targat serbe me emrat e qyteteve të Kosovës. Po ashtu kërkohej edhe lirimi i Dejan Pantiqit, që më vonë u dënua për sulmin terrorist në zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut.
Barrikadat ishin hequr më 5 janar 2023.