Shfaqje mysafire nga vendet evropiane bashkë me panele diskutimi do të zënë vend në Prishtinë prej sot (e enjte) deri të shtunën mbrëma. Festivali vjetor “Polip” këtë vit vjen me temën: “Kujtdo që i bëhet vonë! Çka për çështjen e ambientit?” Festivali që fillimisht ka qenë i fokusuar në letërsi, prej vitit të kaluar ka nisur që t’i përkushtohet më shumë dramës, sidomos asaj të angazhuar që trajton fenomene bashkëkohore siç është çështja e ambientit.
“Festivali sjell shfaqje teatrore ndërkombëtare dhe diskutime publike që trajtojnë çështje të rëndësishme shoqërore dhe mjedisore, duke krijuar një hapësirë reflektimi dhe dialogu me publikun. I shtrirë në dy ditë, festivali ofron një hapësirë për diskutime kritike mbi krizën ekologjike, të trajtuara përmes teatrit bashkëkohor dhe formave të ndryshme të shprehjes artistike dhe diskutimit publik”, shkruhet në njoftimin e Festivalit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSiç është bërë e ditur përveç tri shfaqjeve teatrore, programi do të përfshijë edhe një diskutim publik me panelistë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Në mbrëmjen e së enjtes ngjarje hapëse e edicionit të sivjetmë të “Polip” është shfaqja belge “Judit Seeks”. Shfaqja ka personazh kryesor Judit që jeton me një dëshirë të pakontrollueshme për t’i kënaqur të tjerët, edhe nëse kjo do të thotë të humbasë veten gjatë procesit. Sipas përshkrimit, në të njëjtën kohë, ajo ndjek në mënyrë obsesive përmirësimin e vetes dhe lufton me pasion për planetin.
“Kur e ka përmbysur të gjithë jetën e saj, papritur përballet me atë që ka sakrifikuar përgjatë gjithë kësaj kohe. Në kërkim të diçkaje ku të kapet, Judit zhytet në tregime të lashta biblike dhe meme të ‘Instagramit’. A nuk është ajo vetë pjesë e kësaj natyre për të cilën thotë se po lufton? A është njerëzimi vërtet fajtor në pikturën e madhe të gjërave? Apo gjithçka është pjesë e një plani të errët nga fosilet – burimi i gjithë karburantit dhe plastikës – që po helmojnë botën?”, është përshkrimi që i bëhet shfaqjes. Është produkt teatror me tekst të Femke Van der Steen që vjen si rrëfim polifonik. Shfaqja nën regji të Christophe Aussems shihet si mjaft e guximshme.
Më pas të premten me temën “Një vështrim krahasues: Çështja e ekologjisë në skenë në kontekste të ndryshme”, paneli i diskutimit bashkon Lisa Horvath, Borisav Matiqin dhe Besim Ugzmajlin nën moderimin e Uran Haxhës. Po të premten në mbrëmje shfaqja “Order of the Day” nga Holanda do të jepet në muzeun “Burgu i idealit” në kryeqytet. Bëhet fjalë për një shfaqje që sipas organizatorëve të festivalit, është ngushtësisht e lidhur me ngjarjet aktuale, e krijuar brenda një dite të vetme.
“Në një kohë kur lajmet na vijnë si një ortek i mbingarkuar informacioni, kjo shfaqje filtron thelbësoren dhe e paraqet në një mënyrë të veten, të veçantë dhe teatrale. Tekstet dhe muzika shkruhen në moment – ndonjëherë edhe gjatë vetë performances – dhe interpretohen me skenar në dorë; ky është thelbi i kësaj aventure teatrore”, është përshkrimi që i bën shfaqjes “Polip” si festival që organizohet nga qendra “Multimedia”. E të shtunën Festivali kthehet në ambientet e Amfiteatrit të TKK-së me shfaqjen “ZOE” nga Grazi i Austrisë. Sipas njoftimit të organizatorëve në këtë mjuzikël bëhet një ndërthurje unike e poezisë së fantashkencës, muzikës elektronike dhe skenografisë gjithëpërfshirëse duke krijuar një peizazh ku format e jetës njerëzore dhe jonjerëzore, teknologjia dhe natyra janë të ndërthurura në mënyrë të pandashme.
“Një rrëfim jo-linear dhe shumëshqisor, i thurur nga trupi, zëri, tingulli dhe hapësira, na fton të rishqyrtojmë çfarë mund të nënkuptojë ‘jeta’ në një të ardhme spekulative përtej Antropocenit. ‘ZOE’ është një rrëfim polifonik mbi procesin e pandërprerë të formimit të Tokës – të bimëve, kafshëve, makinave dhe gjithashtu të njerëzve”, është përshkrimi që i bëhet shfaqjes. Në “ZOE” me koncept, drejtim artistik, skenografi dhe tekst të Lisa Horvath dhe nën regji dhe produksion të Lisa Horvath dhe Victoria Fux, shfaqen hibride të njeriut, makinës dhe kafshës duke ngritur shumë pyetje për të ardhmen.
Edicioni i 16-të i Festivalit bashkon emra të njohur vendorë e ndërkombëtarë dhe nëpërmjet artit shtron pyetje e ngre dilema për të ardhmen e ambientit.