Asnjëri nga teatrot publike në Kosovë nuk e ka menaxhmentin e kompletuar. Të gjithave u mungon udhëheqësi artistik, që është një prej dy pozitave kryesore të një institucioni teatror.
Tetë teatro që funksionojnë në Prishtinë, Pejë, Prizren, Gjilan, Ferizaj, Gjakovë, Podujevë dhe Mitrovicë kanë dështuar me vite që të plotësojnë këtë pozitë. Së fundi, probleme me këtë pozitë i ka dalë edhe Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan sot “Koha Ditore”. Pozita e udhëheqësit artistik është kategori ligjore që parashihet edhe në Ligjin për teatro, që është në fuqi prej vitit 2012. Mungesa e udhëheqësit artistik del të ketë pasoja jo të lehta në funksionimin e teatrove.
Ligji i teatrove përcakton se teatrot publike kanë dy udhëheqës: drejtorin e përgjithshëm dhe udhëheqësin artistik. Sipas këtij ligji, udhëheqësit e teatrit zgjidhen me konkurs publik, të cilin e shpall Këshilli Drejtues, organ ky që emërohet nga institucioni nën të cilin funksionon një teatër. Por pavarësisht kësaj, ka teatro që asnjëherë nuk e ka respektuar Ligjin. Udhëheqësit e teatrove të qyteteve kanë fajësuar komunat, pasi u takon atyre që të plotësojnë pozitat e tilla.
Fetah Paçarizi, që drejton teatrin “Bekim Fehmiu” që nga viti 2011, ka thënë se gjatë këtyre tetë vjetëve sa ai është në krye të Teatrit, pozita e udhëheqësit artistik nuk është plotësuar. Ai po ashtu është shprehur skeptik se kjo pozitë është mbajtur nga dikush edhe para se ai ta merre pozitën e drejtorit të përgjithshëm të teatrit që mban emrin e aktorit shqiptar me nam botëror, Bekim Fehmiu. Paçarizi ka thënë se gjatë këtyre viteve këtë detyrë e kryen vetë së bashku me Këshillin Drejtues.
Përgjegjësitë e udhëheqësit artistik i ka marrë përsipër edhe drejtori i përgjithshëm i Teatrit të qytetit në Gjilan, Erson Zymberi. Ai ka një vit që është zgjedhur në këtë pozitë. Ka treguar se herën e fundit që Teatri i qytetit të Gjilanit kishte udhëheqës artistik ishte periudha midis viteve 2010 dhe 2013.
I zëshëm për këtë çështje ka qenë edhe regjisori Ben Apolloni.
“Në Kosovë janë 9 teatro publike dhe me Ligjin për teatër, që është ende në fuqi, teatrot duhet të kenë udhëheqës artistik (drejtor artistik), por asnjëri nuk ka. Kjo është shkelje e Ligjit për teatër, nga Institucionet si MKRS, komunat, etj.”, ka reaguar publikisht ai.
TKK-ja ka mbetur pa udhëheqës artistik qysh nga 18 qershori i këtij viti, kur i përfundoi mandati katërvjeçar regjisorit Agon Myftari. Më 21 qershor në këtë pozitë qe zgjedhur regjisori Fatos Berisha, por gati katër muaj më vonë ai njoftoi Këshillin Drejtues se për arsye profesionale s’mund ta pranonte këtë detyrë. Për pozitën e tij akoma nuk është hapur konkurs.
Fisnik Ademi, kryetar i Këshillit Drejtues, ka thënë se që nga java e kaluar për këtë pozitë është zgjedhur ushtrues detyre aktori Adrian Morina.
Mirëpo jo të gjithë e konsiderojnë vitale këtë pozitë. Shefi i sektorit të kulturës në Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Pejës, Aver Hysaj, ka thënë se teatri “Istref Begolli” në Pejë ka funksionuar mjaft mirë edhe pa këtë pozitë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)