Arbëri

Deklarata e Trumpit rikonfirmohet nga Osmani dhe përgënjeshtrohet nga Vuçiqi

Dy herë brenda pak ditësh, presidentja Vjosa Osmani i ka konfirmuar deklarimet e presidentit amerikan, Donald Trump, se e ka shmangur një përshkallëzim të mundshëm të situatës së sigurisë në Kosovë nga Serbia. Në rastin e fundit, Osmani ka theksuar se ka qenë presidenti Trump ai që ka ndikuar që një eskalim i javëve të fundit të parandalohet. Por, deklarata është përgënjeshtruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq

Për të dytën herë gjatë qëndrimit të saj në Washington, presidentja Vjosa Osmani i ka konfirmuar deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump, se ai e ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm të situatës së sigurisë në Kosovë nga Serbia.

Osmani e ka përsëritur këtë në një diskutim të zhvilluar në Hudson Institute, e përmbajtjen e të cilit e ka shpërndarë të shtunën në Facebook.

Me këtë rast, ajo ka thënë se gjatë javëve të fundit, presidenti Trump e ka parandaluar një përshkallëzim që Serbia ka synuar që ta bëjë në kufi me Kosovën.

“Në javët që shkuan, ashtu siç ka deklaruar presidenti Trump, ai ka parandaluar një përshkallëzim të asaj se çka Serbia ka provuar të bëjë në kufi me Kosovën, por ishte ndikimi i tij personal që e parandaloi këtë përshkallëzim”, ka thënë Osmani.

Por këtë e ka mohuar të shtunën presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Nuk kemi angazhuar asnjë ushtar, nuk e kemi lëvizur asnjë makineri, as që na shkon ndërmend... Sa i përket Vjosa Osmanit, që kinse jemi duke u përgatitur për konflikte, këtë mëngjes e kam pasur një takim me përfaqësuesit më të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit që janë duke e vizituar Serbinë. A mendoni që mund të bëhet diçka pa e ditur amerikanët dhe kinezët se çfarë po ndodh”.

Në SHBA, Osmani ka folur edhe për Marrëveshjen e Washingtonit, e të cilën ka thënë se Kosova e ka zbatuar.

E me administratën Trump, ajo tha se çështje të mëdha mund të marrin epilog.

“Marrëveshja e Uashingtonit është zbatuar, por unë shoh më shumë potencial, të shkohet përtej marrëveshjes. Eksperienca jonë me administratën Trump është e tillë që ka benefite, ata kryejnë punë dhe mendoj që ka potencial që të kryhen punë shumë të mëdha, të rëndësishme”, ka thënë Osmani.

E, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i reagoi presidentes Osmani lidhur me qëndrimin e saj për Marrëveshjen e Washingtonit. Ai e akuzoi Osmanin për hipokrizi teksa, në një postim në Facebook publikoi fotografi me dy deklarata të saj – njërën nga viti 2021 e tjetrën sivjet – teksa shkroi se ajo dikur e ka konsideruar këtë ujdi “cenim të rendit kushtetues” e “rrezik për shtetin”, ndërsa tani e quan “marrëveshje të mirë” dhe pretendon se është zbatuar.

Hoti, i cili në cilësinë e kryeministrit e pati nënshkruar marrëveshjen, shtoi se si Osmani ashtu edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e luftuan marrëveshjen përderisa tani përpiqen ta përvetësojnë, duke u përshtatur me ndryshimet politike në SHBA. E këtë ai e quajti kulm të mashtrimit politik.

Marrëveshja është nënshkruar në dokumente të ndara më 4 shtator të 2020-s nga asokohe kryeministri Hoti e presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kohën e mandatit të parë të presidentit amerikan, Donald Trump.

E zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Brendan Hanrahan, me të cilin presidentja Osmani u takua tre ditë më parë në Washington të SHBA-së, do të qëndrojë gjatë mbrëmjes për vizitë në Prishtinë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka njoftuar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të takohet me zyrtarin amerikan në një darkë pune të organizuar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati.

Para mbërritjes në Prishtinë, Hanrahan vizitoi Serbinë, ku u takua me presidentin Vuçiq.

Vuçiq theksoi në këtë takim e ka përsëritur qëndrimin e Serbisë për dialogun, si mënyrë të vetme për zgjidhjen e çështjeve me Kosovën dhe ka potencuar rëndësinë e respektimit të së drejtës ndërkombëtare. Gjatë ditës, Hanrahan e vizitoi edhe Bosnjë-Hercegovinën.

Ndërkaq, presidentja Osmani gjatë qëndrimit të saj në Shtetet e Bashkuara, ka theksuar se Vuçiqi në vazhdimësi angazhohet për destabilizimin e situatës në Kosovë dhe se është fatkeqësi që një person i mentalitetit të Slobodan Millosheviqit udhëheq me një nga shtetet e rajonit.

Në SHBA, Osmani ka takuar të shtunën edhe kongresistin Ritchie Torres, të cilin ka thënë se e ka falënderuar “për kontributin e vazhdueshëm në forcimin e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Në New York, ajo ka takuar edhe të ngarkuarën me punë të Misionit të SHBA-së në OKB, Ambasadoren Dorothy Shea. Edhe me të ka thënë se ka diskutuar edhe për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.