LAJMET E MBRËMJES

Vëllai i Agon Zejnullahut: Kërkojmë hetim të plotë e transparent

Familjarë dhe qytetarë protestuan para stacionit të policisë në Lipjan, duke kërkuar drejtësi për rastin e vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, gjatë arrestimit nga policia, të hënën. Vëllai i të ndjerit e shprehu domosdoshmërinë që hetimi për rastin të jetë i plotë dhe transparent, teksa theksoi që drejtësia është e drejtë e familjes

“Nuk kërkojmë hakmarrje, por drejtësi”, “Agoni u vra nga ata që duhej ta mbronin”, “Duam paqe për Agonin” – janë disa prej pankartave që u bartën të shtunën nga pjesëmarrësit e protestës lidhur me vdekjen e 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu, gjatë arrestimit nga policia.

Për dyshimin se e shkaktuan vdekjen e Zejnullahut, janë arrestuar pesë zyrtarë policorë dhe atyre u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

E Alban Zejnullahu, vëlla i të ndjerit, kërkoi që hetimi për rastin të jetë i plotë dhe transparent.

“Kërkojmë hetim të plotë dhe transparent, kërkojmë përgjegjësi, veprim ligjor jo heshtje institucionale. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Ne protestojmë në mënyrë paqësore, sepse fuqia jonë është morali ynë, zëri ynë është arma jonë, e vërteta është mburoja jonë”, ka thënë Zejnullahu.

Ai tha se drejtësia është e një e drejtë për familjen.

“Jemi këtu sepse drejtësia nuk është privilegj, por e drejtë. Jemi këtu sepse dhimbja e familjes së Agonit është dhimbja jonë kolektive, sepse heshtja vret për herë të dytë. Agoni nuk është vetëm një emër, është simbol i një padrejtësie që nuk guxon të harrohet”, ka thënë vëllai i të ndjerit, para protestuesve.

E Mitalim Limani, njëri prej qytetarëve që mori pjesë në protestën, e cila u mbajt para stacionit policor në Lipjan, shprehu shqetësim për veprimet e policëve.

Bazuar në njoftimet zyrtare, 27-vjeçari Zejnullahu të hënën u pat ndaluar nga policia nën dyshimet se po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugë.

Lidhur me këtë rast, pesë zyrtarët policorë që po mbahen në paraburgim, janë duke u hetuar për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”.

Pas ngjarjes, komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, Argjend Gashi, dha dorëheqje nga pozita. E të premten, janë ndërruar komandantët në stacionin e policisë në Pejë, Klinë e në Suharekë, pas dyshimeve për tejkalim të autorizimeve nga ana e policëve.