Arbëri

Qe 6 vjet ATK-ja mban në punë 5 inspektorë që s’i përmbushën kriteret

Në vitin 2019, ATK-ja pranoi në punë 20 inspektorë tatimorë. Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës konstatoi se pesë prej tyre nuk i përmbushën kriteret bazë, por ata vazhdojnë të punojnë. E prej atëherë, një kandidate bën betejë ligjore, meqë thotë se iu bë e padrejtë. Rastet e këtilla zvarriten në gjykata, ndonëse juristët thonë se ato duhet trajtuar me prioritet meqë shumë familje varen nga marrëdhënia e punës

Prej gjashtë vjetësh, Administrata Tatimore (ATK) mban në punë pesë inspektorë për të cilët Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës konstatoi se nuk i përmbushnin kriteret.

Përgjatë këtyre viteve, Floriana Kukaj-Zekaj bën luftë ligjore me institucionet për evitimin e padrejtësive që thotë se iu bënë në konkursin, nëpërmjet të cilit u punësuan këta inspektorë tatimorë.

Pretendimet e saj, një vit më parë u konfirmuan edhe nga Këshilli. E më pas, ATK-ja e ftoi zyrtarisht kandidaten që të lidhë kontratë, por pas disa ditësh drejtori i Përgjithshëm, Ilir Murtezaj, e anuloi vendimin.

Kushtrim Kastrati, i cili është avokat i kandidates Kukaj-Zeka, tregon se tani pret nga gjykata të vendosë drejtësi, meqë ankesa e fundit nuk u aprovua as në ATK dhe as në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës.

“Është mbajtur një seancë lidhur me këtë çështje, në të cilën ne si mbrojtje kemi propozuar caktimin e një ekspertize financiare, e cila do të kishte për qëllim që të kalkulonte pagat. Nëse do të ishin respektuar kriteret e konkursit qysh prej fillimit nga momenti i shpalljes, e që klientja ime që nga viti 2019 është dëmtuar për shkak që nuk iu është mundësuar lidhja e marrëdhënies së punës qysh në fillim dhe të njëjtës iu është mohuar realizimi i kompensimit të pagave për gjithë këto vite”, ka thënë avokati Kastrati.

Ka rreth një vit që rasti është në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Juristi Anton Nrecaj thotë se lëndët e kësaj natyre duhen trajtuar me urgjencë.

“Brenda vitit duhet të përfundoj gjithsesi, sepse kemi të bëjmë me qëndrueshmërinë ekonomike të një qytetari apo të familjarëve që varen nga ajo marrëdhënie e punës”, ka thënë Nrecaj.

Por, Flamur Kabashi, i cili është hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thotë se rastet e kësaj natyre zvarriten në gjykata, shkaku i numrit të madh të lëndëve që adresohen nga zyrtarët publikë.

“Për shkak të kësaj ngarkese shumë individë, që mund të kenë padi nga marrëdhënia e punës, edhe kompensimi nga kjo marrëdhënie, automatikisht si shkak i kësaj ngarkese bën që lëndët e tyre të zvarritën”, ka thënë Kabashi.

Por, juristi Nrecaj kërkon që gjyqësori të bëjë një zgjidhje, në mënyrë që lëndët të mos zvarriten.

“Duhet të jetë një departament që i trajton vetëm këto çështje”, ka thënë ai. (Nga zvarritja e rasteve v.j.), pasojat mund të jenë kryesisht financiare për palët në proces”.

Administrata Tatimore nuk iu përgjigj pyetjeve të KOHËS për këtë proces gjyqësor.

Vitin e shkuar, Këshilli i Pavarur Mbikqyrës për Shërbimin Civil konstatoi shkeljet në konkursin për inspektorë tatimorë dhe pasi pa dosjet, me emër e mbiemër evidentoi kandidatët e punësuar që u mungonin ose përvoja paraprake e punës ose dokumentet e nevojshme për punësim.

Këshilli obligoi ATK-në që ta ndryshojë njoftimin për kandidatët e suksesshëm të konkursit, duke saktësuar se kjo duhej të bëhej brenda 15 ditësh. Por, kjo nuk ka ndodhur.

Në arsyetimin e vendimit theksohet se tre nga të punësuarit “në dosjet e tyre nuk kanë certifikatën nga gjykata kompetente përmes të cilave do të vërtetohej se kanë apo nuk kanë dosje penale, e në këtë kuptim dosjet e këtyre kandidatëve kanë qenë të pakompletuara dhe mbi bazë të dispozitave ligjore, aplikacionet e pakompletuara duhet të refuzohen siç parashihet në dispozitat e nenit 25, paragrafit 2 të Rregullores nr. 02/2010 për procedurat e rekrutimit në shërbimin civil, ngase një dokument i tillë ka qenë kriter i konkursit”.

E, për dy të punësuar të tjerë me këtë konkurs, KPMSHCK-ja ka konstatuar se “në aplikacionin e tyre posedojnë pasqyrën nga trusti, por nuk posedojnë vërtetime të përvojës së punës të lëshuar nga institucionet ku kanë punuar, e të cilat do të dëshmonin se e ka përvojën e punës siç kërkohet me konkurs, ngase me dispozitat ligjore të aplikueshme ka qenë e përcaktuar se kandidatët me rastin e aplikimit duhet të dërgojnë edhe kopjet e dëshmisë së punësimit siç parashihet me nenin 21, paragrafi 2, nënparagrafi 2.1 të Rregullores nr. 02/2010 për procedurat e rekrutimit në shërbimin civil”.

Këshilli ka gjetur se një nga kandidatët e punësuar “në bazë të certifikatës së datës 29.03.2019 të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj është dënuar me aktgjykim të formës së prerë ... i cili aktgjykim ende nuk është ekzekutuar”.

Avokati i kandidates Floriana Kukaj-Zekaj thotë se gjykata duhet t’i korrektojë padrejtësitë që kandidatëve u bëhen gjatë konkurseve të punësimit.

“Pas shqyrtimit të çështjes nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë, presim që kjo çështje të marr epilog pozitiv duke i aprovuar në tërësi kërkesat e klientes sime, të cilës i njihen kompensimet e pagave si dhe i krijohet mundësia që të lidh marrëdhënie të punës, për shkak se e njëjta qysh në fillim i kishte plotësuar kriteret për t’u pranuar si zyrtare tatimore në ATK”, ka thënë avokati Kastrati.

Përveç kandidates Floriana Kukaj-Zekaj, ankesë kanë parashtruar edhe tre kandidatë të tjerë, që pretendojnë se kanë plotësuar kushtet për t’u punësuar në 2019-n, kur inspektorë tatimorë u bënë pesë kandidatë që sipas Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, nuk i përmbushën kriteret.