Një investim i përbashkët në projektin për rikualifikimin urban të qytetit historik të Prizrenit ishte e vetmja e re nga mbledhja e përbashkët e dy qeverive shqiptare në Tiranë. Me pak dallime nga historia gjashtëvjeçare e mbledhjeve, edhe të premten, ministritë e Kulturës në Kosovë dhe Shqipëri kanë përsëritur zotimet për thellimin e bashkëpunimit në fushën e kulturës.
Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, dhe homologia e saj nga Republika e Shqipërisë, Elva Margariti, kanë vënë firmat e tyre në marrëveshjen për Kalendarin e përbashkët kulturor, një tjetër për bashkëprodhime filmike si dhe një memorandum bashkëpunimi për veprimtarinë botuese dhe librin.
“Tani fjalën e ka Vlora, që ha bukë vetë, për të folur për këto tri marrëveshjet, në mos gabohem, në fushën e kulturës”, ka thënë me njëfarë mëdyshje kryeministri Edi Rama për marrëveshjet e kulturës që u diskutuan vetëm kah fundi i mbledhjes që zgjati rreth një orë e gjysmë.
Në fjalën e saj, ministrja Dumoshi ka folur shkurtimisht për përmbajtjen e marrëveshjeve të nënshkruara.
Sipas saj, Kalendari i përbashkët kulturor ka për qëllim realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushat përkatëse.
“Përmes këtij kalendari, ministritë tona në bashkëpunim me institucionet e trashëgimisë kulturore do të realizojnë aktivitete të përbashkëta me qëllim të promovimit të kulturës sonë”, ka thënë Dumoshi.
Ajo ka komentuar edhe nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëprodhim filmik midis Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Qendrës së Filmit të Shqipërisë, në të cilën janë paraparë edhe ndarjet e çmimeve për filmat e të dyja vendeve. Sipas saj, kjo marrëveshje do të “shërbejë në zhvillimin e prodhimit të filmit dhe zhvillimin e mëtejshëm të lidhjeve kulturore e teknologjike mes dy vendeve”.
“Kjo marrëveshje do të kontribuojë në rritjen ekonomike të filmit, televizionit, videove dhe mediumeve të tjera të produksionit dhe institucioneve të distribuimit”.
Tutje, Dumoshi ka përmendur edhe memorandumin e bashkëpunimit për veprimtarinë botuese dhe librin. Sipas saj, aty është paraparë shkëmbimi i praktikave sa më të mira në aktivitete botuese e letrare, shkëmbimi i përvojave dhe njohurive si dhe organizimi i konferencave, seminareve e ngjarjeve edukative.
“Njëkohësisht, me nënshkrimin e këtij memorandumi, dy palët angazhohen në mënyrë institucionale për adresimin e çështjes së rishikimit të taksës për librin në kufi”, ka thënë Dumoshi, teksa ka shtuar se kjo do të ndihmojë në qarkullimin më të lirë të librit në të dyja anët e kufirit.