Tenisti Jannik Sinner e mposhti Carlos Alcarazin me 3:1 në sete në finalen shumë emocionuese të Wimbledonit. Sinner fitoi 4:6, 6:4, 6:4, 6:4 për trofeun e parë në Grand Slamin më të famshëm. Për italianin është triumfi i katërt në garat e nivelit Grand Slam. Ai iu hakmor spanjollit për humbjen në finalen epike të “French Open” muajin e kaluar.
Fitorja e vështirë ndaj kampionit të dy vjetëve të kaluar bëri që Sinner të jetë italiani i parë që fiton titullin e Wimbledonit në garën individuale të tenistëve.
“Do të doja të filloja me Carlosin. Një turne i mahnitshëm, por të falënderoj për lojtarin që je. Është shumë e vështirë të luash kundër teje, por kemi një marrëdhënie të mrekullueshme jashtë dhe në fushë. Vazhdo të ecësh përpara, vazhdo të shtysh përpara”, ka thënë Sinner menjëherë pasi triumfoi në Londër.
Ndeshja finale e së dielës ishte shumë e fortë dhe shumë interesante. Atmosfera po ashtu e shkëlqyer.
“Është e shkëlqyer të jesh në këtë pozicion”, ka thënë Sinner, që është numër një në ranglistën botërore të tenistëve. Ai ka folur për një ditë të veçantë, ndërsa ka falënderuar ekipin dhe të gjithë të pranishmit.
Të dielën nuk kishte ringjallje si ajo e “Roland Garrosit” për Alcarazin. Përpjekja e spanjollit për të fituar tre tituj radhazi në Angli, u shua.
22-vjeçari Alcaraz mbetet me dy triumfe në “Wimbledon”, dy në “French Open” dhe një në “US Open”.
Sinneri dy herë ka triumfuar në “Australian Open” dhe tani nga një herë në “Wimbledon” dhe “US Open”.
“Jam shumë i lumtur dhe shumë krenar për gjithçka që po bëj”, ka thënë Alcaraz.
“Në fillim të stinorit pata pak vështirësi në fushë. Por pastaj papritmas fillova të ndiej gëzim në fushë dhe shfaqa atë emocion që kam gjithnjë kur jam në fushë. Është një udhëtim i shkëlqyer me të cilin jam shumë krenar”, ka shtuar Alcaraz.
Në gjysmëfinale, Sinneri e mposhti Novak Gjokoviqin me 3:0 në sete. Alcarazi fitoi 3:1 ndaj amerikanit Taylor Fritz.
Titullin te tenistet e fitoi polakja Iga Swiatek. Të shtunën ajo shkroi histori duke fituar 6:0, 6:0 ndaj Amanda Anisimova të SHBA-së.