Politikani shumëvjeçar Azem Vllasi përshkruan me detaje si ngjarjet e Konferencës së Bujanit, përplasja me forcat komuniste jugosllave dhe tragjeditë si ajo e Tivarit u kthyen në pika kthesë me pasoja të rënda historike për shqiptarët e Kosovës, në një bisedë në podcastin PIKË me Veton Surroin.
Sipas Vllasit, Konferenca e Bujanit e mbajtur në fund të vitit 1943 dhe fillim të 1944-s, pati një deklarim të qartë për të ardhmen e Kosovës, ku shqiptarët shprehën dëshirën që pas çlirimit nga fashizmi, Kosova t’i bashkohej Shqipërisë. Kjo kërkesë, sipas tij, u mbështet në besimin se marrëdhëniet e ngushta mes Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe asaj të Shqipërisë do të garantonin zbatimin e kësaj vullneti.
Por, siç thekson Vllasi, realiteti pas vitit 1945 ishte krejtësisht ndryshe. Një nga ngjarjet më tragjike ishte përplasja me forcat jugosllave në frontin e Sremit. Shaban Polluzha, së bashku me rreth 1500 luftëtarë shqiptarë, refuzuan të shkonin në këtë front, pasi u përballën me thirrjet e popullit që kërkonte mbrojtje nga ndjekjet dhe represioni i brigadave jugosllave. Si pasojë, brigada e Polluzhës u shpall rebele dhe filluan luftime të përgjakshme në Drenicë, ku sipas burimeve të ndryshme, u vranë rreth 3000 veta.
Një tjetër tragjedi që përmend Vllasi është Masakra e Tivarit, ku mijëra shqiptarë të mobilizuar, të çarmatosur dhe të lodhur nga marshimi përmes Shqipërisë drejt frontit të Adriatikut, u masakruan nga oficerë serbo-malazezë në portin e Tivarit.
“Edhe shqiptarët e shohin që Lufta e Dytë Botërore po vjen kah fundi, po për neve ditë t’zeza”, u shpreh Vllasi.
