Arbëri

Oda Amerikane thotë se vendimet e Qeverisë në detyrë mund ta rrezikojnë stabilitetin e tregut të punës

Albin Kurti - Besnik Bislimi - Donika Gervalla

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimin lidhur me vendimin e Qeverisë në detyrë për të proceduar në Kuvend Projektligjin për Buxhetin e vitit 2026, në një periudhë kur vendi ende nuk ka një qeveri të re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Siç thotë reagimi, si institucion që për më shumë se dy dekada ka avokuar për një mjedis më të favorshëm për biznesin, Oda Amerikane thekson se vendimet me ndikim të drejtpërdrejtë në politikat fiskale dhe ekonomike duhet të merren nga një qeveri me mandat të plotë dhe legjitimitet demokratik.

“Legjislacioni aktual kufizon fushëveprimin e qeverisë në detyrë, duke i lejuar vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe përmbushjen e obligimit teknik për paraqitjen e projektbuxhetit, por jo miratimin ose inicimin e masave të reja fiskale me detyrime afatgjata”, thuhet në reagim.

Lidhur me vendimin e Qeverisë në detyrë për të rritur pagën minimale nga 350 në 500 euro, Oda Amerikane e sheh këtë si një qëllim të rëndësishëm për përmirësimin e kushteve të punës dhe të ardhurave, por nënvizon se çdo vendim duhet të bazohet në analiza gjithëpërfshirëse të tregut të punës, produktivitetit dhe kapaciteteve reale të sektorit privat, për të siguruar balancën ndërmjet mirëqenies së punonjësve dhe konkurrueshmërisë së bizneseve.

Kjo odë paralajmëron se vendimet e tilla mund të rrezikojnë stabilitetin makroekonomik, të rrisin ngarkesën buxhetore dhe të çrregullojnë tregun e punës, duke krijuar pritshmëri për paga më të larta në sektorin privat dhe duke ndikuar në konkurrueshmërinë e ekonomisë. Gjithashtu, sipas tyre, ato mund të kufizojnë hapësirën fiskale për investime kapitale dhe politika zhvillimore, të cilat janë të domosdoshme për rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit.

Oda Ekonomike Amerikane ka bërë thirrje për respektim të plotë të parimeve kushtetuese dhe ligjore, duke theksuar se çdo vendim i Qeverisë në detyrë duhet të ndërmerret vetëm brenda kufizimeve ligjore dhe në përputhje me statusin e saj si qeveri kujdestare.

“Çdo devijim nga këto parime rrezikon jo vetëm vlefshmërinë formale të akteve të miratuara, por edhe besimin në institucionet publike dhe stabilitetin kushtetues të vendit”, vijon reagimi.

Në përfundim, Oda Amerikane përsërit se stabiliteti institucional, qeverisja e mirë dhe legjitimiteti demokratik janë parakushte për një ekonomi të fortë, të qëndrueshme dhe konkurruese.