Kronikë

Plagoset një person në Shtime, i dyshuari në arrati

Policia e Kosoves

Një person ka pësuar lëndime trupore pasi dyshohet se është plagosur të dielën në fshatin Mollopolc të Shtimes.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka thënë për KOHËN se viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari E.M. 32-vjeçar, gjendet në arrati.

Sipas Policisë, rasti ka ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshje të mëparshme mes palëve. 

“Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja. Bazuar në të dhënat e para, dyshohet se si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëparshme, i dyshuari E.M. (32 vjeç), ka shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të viktimës R.P. (38 vjeç), duke e plagosur. Pas incidentit, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Viktima ka kërkuar ndihmë në oborrin e një shtëpie afër vendit të ngjarjes, ku është hasur nga ekipi i emergjencës së QKMF-së dhe i është ofruar ndihma e parë mjekësore. Me autorizim të prokurorit të shtetit, është kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit E.M., mirëpo ai nuk është hasur aty dhe aktualisht ndodhet në arrati”, ka thënë Veseli. 

Tutje bëhet e ditur se hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar me qëllim identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit.