Në një bisedë në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, politikani Azem Vllasi foli për angazhimin e udhëheqjes kosovare në vitet '70 për ta bërë Kosovën Republikë brenda federatës jugosllave.
Publicisti Surroi përmendi katër figura kyçe shqiptare kishin ngritur çështjen e Republikës drejtpërdrejt me Josip Broz Titon: Fadil Hoxha, Veli Deva, Mahmut Bakalli dhe vetë Vllasin, si përfaqësues i Rinisë së Kosovës.
“Unë në vitin 1973, si jurist i ri dhe kryetar i Rinisë së Kosovës, u përfshiva në debatet për reformat kushtetuese që po zhvilloheshin në nivel federal. Debati kryesor ishte: sa pushtet të mbetet në federatë dhe sa t’i kalojë njësive përbërëse. Të gjitha njësitë po kërkonin më shumë kompetenca, edhe Vojvodina, që donte pavarësi nga Serbia”, rrëfeu Vllasi.
Ai zbuloi se edhe pse ideja e një Republike të Kosovës nuk ishte pranuar formalisht për shkak të ndjeshmërisë me Serbinë, Tita kishte pranuar të gjitha kërkesat substanciale të Kosovës.
“Tita tha: merrni të gjitha kompetencat, qeverisni vetë, pa u përzi Serbia. Me Serbinë do ketë vetëm marrëveshje konsensuale, jo imponim. Por mos e prekni emrin ‘Republikë’, se prishen marrëdhëniet me Serbinë”, tregoi Vllasi.
Ai ndau edhe një episod personal nga vizita në Brione në vitin 1975, ku në një atmosferë të qetë me Titon dhe udhëheqësit e tjerë, kishte refuzuar një cigare por pranuar një gotë uiski Chivas Regal, duke e kujtuar si një moment simbolik të asaj kohe.
