Duke komentuar përplasjet e fundit me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka thënë se kjo parti “nuk mund ta bëjë Ramën kryetar të LDK-së”.
Në emisionin “tre8tre” në KTV, Kërçeli ka thënë se përplasja e nisur së fundmi ishte “goditje nën brez nga Rama”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoRama dhe akterë të VV-së u përplasën të hënën pasi kryetari i Prishtinës e akuzoi Qeverinë për neglizhencë në rastin e një aksidenti fatal ditë më parë në një autostradë. Kërçeli ka thënë se ende nuk ka raport zyrtar dhe se akuzat e Ramës janë për “poenë politikë”.
“Rama duhet të na tregojë nga i erdh ky zelli për të reaguar apo për të akuzuar pas një vikendi që e kishte në Brezovicë me PDK-në. Duhet të tregojë a janë këto deklarata të porositura nga PDK-ja që të krijojë atmosferë jo të mirë në prag të përfundimit të numërimit të votave sepse të akuzosh në këtë fazë menjëherë pas vikendit të gjatë në Brezovicë me PDK-në, nuk është aspak e drejtë. Është mirë zoti Rama të merret me kryeqytetin e projekte që nuk po shihet as fillimi as fundi, e që i ka premtuar”, ka thënë Kërçeli. “Rama duhet ta dijë se ne nuk mund ta zgjedhim kryetar të LDK-së. Nëse e ka këtë ambicie është mirë t’ia tregojë subjektit të tij e të shkojë atje e të kandidojë për kryetar të LDK-së, por jo kështu duke sulmuar pa bazë e me akuza boshe për të arritur te ajo që ai po e ka ambicie, pra për t’u bërë kryetar i LDK-së”.
Kërçeli po ashtu ka thënë se sipas pikëpamjes së tij, Rama nuk ka raporte të mira as me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Sa po arrij ta lexoj nëpër rreshta, Rama nuk ka raporte të mira ase me kryetarin e LDK-së. S’ka marrë pjesë në asnjë organizim në fushatë në Prishtinë me liderin e LDK-së. Nëse këtë raport e kanë prishur për shkak të interesave të ngushta, duhet të deklarohen e t’u tregojnë qytetarëve se cili ishte ai interes. Të tregojnë se çka ka ndodhur me kryeshefin e Termokosit se është përjashtuar nga LDK-ja. Mendoj se aty nisi problemi i tyre. Kështu që Rama s’është mirë t’i ngarkojë qytetarët e Prishtinës për pazaret që i ka me kryetarin e LDK-së, është mirë të tregojë nëse ka ambicie për kryetar të LDK-së le të kandidojë... ne s’mund t’ia sigurojmë votat”, ka thënë Kërçeli.
Kërçeli ka thënë tutje se nuk beson që akuzat e Ramës mund të ndikojnë në atmosferën potenciale për negocim me LDK-në për të ardhmen.
“Nuk mendoj që kjo situatë mund të pengojë, por është mirë që zyrtarët e LDK-së të mos viktimizohen. Na mbajtën të bllokuar kinse për një deklaratë që u tha në ditën e zgjedhjeve për 9 muaj, por ata vazhdimisht po bëjnë akuza e nënçmime e ofendime të tilla dhe prapë VV-ja po i fton të kemi bashkëpunim për hatër të qytetarëve të Kosovës”, ka shtuar Kërçeli.
Një ditë më parë Rama kritikoi Qeverinë e Kosovës pas aksidentit tragjik në autostradë dhe vendimit për ndarjen e 4.67 milionë eurove për largimin e dheut nga një segment i saj. Përmes një reagimi publik, Rama tha se qytetarët po paguajnë çmimin “me jetë dhe me taksa”, duke akuzuar pushtetin qendror për neglizhencë dhe reagim të vonuar ndaj problemit.
Pas kësaj reaguan ministri i Infrastrukturës e akterë të tjerë të VV-së.
Vetë Rama ka thënë se nuk është anëtar i LDK-së, por ai ka fituar dy palë zgjedhje në kryeqytet nën siglën e kësaj partie.
Kërçeli ka siguruar ulësen në legjislaturën e re duke dalë i 13-ti në listën e Vetëvendosjes. Ai ka thënë se VV-ja në zgjedhjet e 7 qershorit është “fituese absolute”.
Sipas tij, situata është e njëjtë sikur para zgjedhjeve të qershorit.
Ai ka thënë se VV-ja do të mbledhë Kryesinë sapo të certifikohen rezultatet për të vendosur për çështjen e bashkëpunimit potencial me partitë tjera për të zgjedhur Qeverinë dhe presidentin. Megjithatë, ka thënë se sipas numrave VV-ja mund ta bëjë sërish e vetme Qeverinë.