Kulturë

Çeku pas Prizrenit pret që edhe në Prishtinë të ketë aktakuza për cenim të trashëgimisë

Hajrulla Ceku

Foto: Driton Paçarada

Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku lidhur me aktakuzën ndaj dy zyrtarëve në Prizren për rrënimin e “Sarajit të Vjetër”, ka thënë se është vërtetuar ajo që sipas tij, e kanë thënë nga fillimit.

Sipas tij, rrënimi i paligjshëm i “Sarajit të Vjetër” në Prizren nuk ishte gabim, por shkelje e rëndë me pasoja të pariparueshme për trashëgiminë kulturore.

Ka shtuar se pas kallëzimit penal të dorëzuar nga Ministria e Kulturës, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj drejtorit të Urbanizmit dhe një bashkëpunëtoreje profesionale të komunës së Prizrenit.

Ata akuzohen se me veprimet e tyre kanë lejuar rrënimin e paligjshëm të kompleksit “Saraji i Vjetër”, aset i trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme, duke shkaktuar një dëm të pariparueshëm kulturor dhe financiar mbi 15 milionë euro.

Çeku ka thënë se pret që standardi që sot vendosi Prokuroria Themelore e Prizrenit të ndiqet edhe nga ajo e Prishtinës.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së përgjegjësisë dhe një mesazh i qartë: askush nuk mund të cenojë trashëgiminë tonë pa u përballur me drejtësinë. Ministria e Kulturës ka dorëzuar kallëzim penal për cenim të trashëgimisë edhe ndaj komunës së Prishtinës. Standardi që sot vendosi Prokuroria Themelore e Prizrenit duhet të ndiqet edhe nga ajo e Prishtinës. Mbetemi të vendosur të mbrojmë çdo aset dhe çdo monument që na mban gjallë identitetin”, ka thënë ai.