Papa është prijës shpirtëror, shef shteti dhe njëkohësisht qytetar amerikan. Tash është në krye të një lëvizje që do t’i japë fytyrë njeriu një revolucioni digjital e të inteligjencës artificiale, revolucioni që ka fuqi të madhe dehumanizuese. Duke qenë në krye të lëvizje, bëhet pjesë e ndarjes së radhës mes SHBA-së dhe Evropës
1.
Prej shumë emrave që ishin në dispozicion për kardinalin Robert F. Prevost, ai me t’u zgjedhur Papë mori atë Leoni XIV.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoLeoni para tij ishte i XIII-ti. Shkroi në fund të shekullit XIX “Rerum novarum”, “Për gjërat e reja” dhe nisi një revolucion konceptual, jo vetëm në Kishën katolike. Në këtë enciklikë Papa shkruante për revolucionin industrial dhe për obligimin që ka Kisha për ruajtjen e dinjitetit të njeriut. Prej Leonit XIII dolën konceptet e dinjitetit të punës dhe punëtorit, pagës së drejtë, organizimit sindikal...Dhe, për dallim prej socialistëve e Marksit që kishin shkruar ngjashëm, Leoni XIII po ashtu përcaktoi se prona private është e shenjtë dhe se shteti është aty për të garantuar një sistem në të cilin mund të përparojë ekonomia private duke e integruar në këtë përparim dinjitetin e njeriut.
Kjo ishte baza për Doktrinën sociale të Kishës katolike prej së cilës u ndikua jo pak formësimi i idesë së shtetit bashkëkohor social evropian.
2.
Papa i ri, Leoni XIV botoi enciklikën e tij të parë në mesin e muajit maj, me titull “Magnifica humanitas” (Njerëzimi i mrekullueshëm). Dhe, ashtu siç e vazhdoi me numër emrin e pasardhësit të tij të famshëm të trembëdhjetë, vazhdoi me themelin e mendimit të tij por tash me sfidën e vendosjes të bazave të Doktrinës sociale në shekulli XXI. Dhe prodhoi një libër që i botuar do të jetë rreth 150 faqe që me një gjerësi intelektuale dhe disiplinë teologjike është një dokument e kupton kohën në të cilën jetojmë si një revolucion për të cilin do formuluar përgjigje doktrinare.
Përgjigja e Papës mund të lexohet dyfish. Në fund, grigja katolike do të gjejë të arsyetuar tërë tekstin, ashtu siç e fillon me citatet nga Dhjata e vjetër, do të përfundojë me Shën Merinë dhe mishërimin e Fjalës. Por, për ata që nuk bëjnë pjesë ndër besimtarët do të gjejnë një shpjegim të detajuar të kohës sonë, me fjalor të një sociologu, si për shembull:
“Në shumë raste, në kontekstin digjital, kontrolli mbi platformat, infrastrukturën, të dhënat dhe fuqinë llogaritëse nuk qëndron në duart e shteteve, por të aktorëve të mëdhenj ekonomikë dhe teknologjikë. Këta aktorë përcaktojnë në praktikë kushtet e qasjes, vendosin rregullat e dukshmërisë dhe formësojnë vetë mundësitë e pjesëmarrjes. Kur një pushtet i tillë përqendrohet në duart e pak vetave, ai priret të bëhet i errët dhe t’i shmanget mbikëqyrjes publike, duke rritur rrezikun e formave të shtrembëruara të zhvillimit që prodhojnë varësi të reja, përjashtime, manipulime dhe pabarazi”.
Këtu Papa Leoni ngre çështjen thelbësore të kohës nëpër të cilën po kalojmë: rrezikun që shoqëritë tona (demokratike dhe më pak demokratike) të vendosen në një formë të re të autoritarizmit, të një diktature të fshehur në teknokraci.
Dhe, më shumë njohuri, më shumë kapacitet teknologjik, më shumë informata dhe shpejtësi trajtimi të tyre nuk do ta zgjidhin problemin vetvetiu.
“Inovacionet teknologjike, përfshirë inteligjencën artificiale, nuk janë neutrale, sepse ato mund të nxisin pjesëmarrjen dhe drejtësinë, por po aq mund të thellojnë pabarazinë, kontrollin dhe përjashtimin. Për këtë arsye, ato duhet të vlerësohen duke shtruar një pyetje thelbësore: A i ndihmojnë vërtet individët dhe popujt të bëhen më njerëzorë dhe më vëllazërorë, duke respektuar njëkohësisht shtëpinë tonë të përbashkët dhe brezat e ardhshëm?”
Përgjigja është jo, sepse jetojmë në “paradigmën teknologjike”, term të formësuar nga paraardhësi i tij : "Paradigma teknokratike në botën tonë të globalizuar është prirja për t'ia nënshtruar vendimet personale, shoqërore dhe ekonomike vetëm logjikës së efikasitetit, kontrollit dhe fitimit. Kjo e bën të qartë se teknologjia nuk është thjesht një mjet”
3.
Papa Leoni XIV me librin e tij mund të jetë futur në një shoqëri ideologjikisht e politikisht heterogjene të atyre që viteve të fundit janë marrë në mënyrë kritike me revolucionin nëpër të cilin po kalojmë. Jurgen Habermas, filozofi gjerman i Shkollës së Frankfurtit botoi para tre vjetësh librin me titull “ Një transformim i ri strukturor i sferës publike dhe politikës deliberative”, ku shprehej mbi faktin se revolucioni digjital dhe mediet sociale po e përmirësojnë debatin në sferën publike duke e rrezikuar drejtpërsëdrejti demokracinë liberale.
YannisVaroufakis, ish-ministri marksisti Financave në Greqi në librin e tij “Teknofeudalizmi” paralajmëron se kapitalizmi çfarë kemi njohur është duke vdekur sepse mes tjerash, malli me të cilin tregtohet jemi ne, informata jonë e cila mblidhet nëpërmjet të medieve sociale, makinave të kërkimit e të ngjashme, e që në fund përdoren për të na dirigjuar shijet e veprimet.
Francis Fukuyama që mban famën e autorit të “Fundi i historisë?” me të cilin në fund të shekullit të kaluar dhe fundit të luftës së ftohtë paralajmëronte fitoren historike të demokracisë liberale, është së fundmi pjesë e një iniciative intelektualësh amerikanë për rregullativë të internetit, në veçanti të medieve sociale, si dhe për transparencë të plotë të algoritmeve.
Që të gjitha këto gjenden në enciklikën e Papës. Ai i ngre shumë prej ideve që janë diskutuar viteve të fundit, përfshirë edhe ato të këtyre mendimtarëve ndonëse pa i emërtuar ata, në diçka që mund të jetë shtjellimi i parë i gjithmbarshëm filozofik (me etikë, ekonomi politike, marrëdhënie ndërkombëtare, teologji e çka jo tjetër) që përpiqet të trajtojë sfidën e revolucionit digjital dhe të inteligjencës artificiale.
4.
Papa është prijës shpirtëror dhe shef shteti, njëkohësisht. Leoni XIV ka qëlluar të jetë edhe amerikan për nga shtetësia. Që të gjitha këto janë me rëndësi për të ardhmen e Doktrinës sociale të shekullit XXI të cilën e ka iniciuar, marrë parasysh se kjo Doktrinë e re mund të jetë njëra prej vijave të reja ndarëse mes Evropës dhe SHBA-së. “Magnifica humanitas” është e vendosur në mendimin e shtetit social evropian, të kujdesit për të mirën e përbashkët (postulat katolik i “Rerum Novarum”). Enciklika e Papës synon këtë, që revolucioni digjital të bëhet pjesë e përpjekjes për të mirën e përbashkët, nëpërmjet të pjesëmarrjes së shoqërisë e individit në transparencë algoritmesh, privatësi informatash, krijim të udhëzimeve etike për inteligjencën artificiale... Në SHBA ekziston, jo vetëm në këtë administratë, kultura e mendimit se çfarëdo mase rregulluese në Internet (dhe tash Inteligjencë artificiale) është kufizim i lirive.
Me “Magnifica humanitas” Papa Leoni XIV mund t’i ketë hapur vetes rrugën që të jetë në krye të një lëvizje që dëshiron t’i japë fytyrë njerëzore një revolucioni që ka forcë të madhe dehumanizimi.