Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Surroi pas deklaratës së Osmanit: Po të ishte efektiv dekreti, nuk do të kishte kthim të procesit në Kuvend

Veton Surroi

Publicisti Veton Surroi ka komentuar deklaratën e ish-presidentes Vjosa Osmani në KTV lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit të saj për shpërndarjen e Kuvendit.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Surroi tha se Osmani deklaroi në intervistën e 2 qershorit se dekreti i saj nuk kishte qenë kundërkushtetues, duke argumentuar se ai vetëm formalizonte një realitet kushtetues tashmë të krijuar dhe se Gjykata Kushtetuese nuk kishte konstatuar shkelje nga ana e saj.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Megjithatë, Surroi thekson se Gjykata Kushtetuese vendosi që dekreti për shpërndarjen e Kuvendit nuk prodhoi efekt juridik.

Ai argumenton se, në të drejtën kushtetuese, një akt i shpallur pa efekt juridik nuk është i aftë të prodhojë pasojat juridike për të cilat është nxjerrë. Sipas tij, nëse dekreti do të ishte plotësisht i bazuar në interpretimin e paraqitur nga Presidentja, Gjykata nuk do të kishte pasur nevojë të ndërhynte për të ndaluar efektet e tij dhe për të krijuar një regjim të ri kushtetues prej 34 ditësh.

Surroi vlerëson se, ndonëse Osmani tha se Gjykata konfirmoi se ajo nuk e kishte shkelur Kushtetutën, aktgjykimi nuk e konfirmoi vlefshmërinë e dekretit. Sipas tij, Gjykata ndaloi prodhimin e efekteve juridike të dekretit, e riktheu procesin në Kuvend dhe krijoi një afat të ri 34-ditor për konstituimin.

Ai shton se, po të ishte dekreti kushtetues dhe efektiv, nuk do të kishte më Kuvend për t’u kthyer dhe as proces parlamentar për t’u vazhduar.

Duke iu referuar argumentit të Presidentes se shpërndarja e Kuvendit kishte ndodhur automatikisht dhe se dekreti vetëm e formalizonte atë realitet, Surroi thotë se Gjykata Kushtetuese, në praktikë, urdhëroi vazhdimin e procesit parlamentar dhe tregoi se situata kushtetuese nuk ishte përmbyllur në mënyrën e pretenduar nga Presidentja.

Sipas tij, Gjykata ndërhyri për të ruajtur funksionalitetin kushtetues të institucioneve dhe, duke marrë parasysh momentin delikat të krizës politike, përdori formulimin se dekreti ishte “pa efekt juridik”, pa u shprehur për përgjegjësinë kushtetuese të presidentes dhe pa dhënë një vlerësim të drejtpërdrejtë mbi natyrën e shpërputhjes së dekretit me Kushtetutën.

Surroi vlerëson se shpërndarja e Kuvendit nga Presidentja e zgjedhur prej atij Kuvendi përbënte një ndërhyrje të rëndë në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, duke theksuar se Gjykata Kushtetuese u detyrua ta shpallte dekretin pa efekt juridik dhe ta rikthente procesin kushtetues në Kuvend.