Nënkampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, është në situatë të favorshme para ndeshjes së kthimit të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Javën e kaluar në Prishtinë, Ballkani fitoi 4:2 ndaj skuadrës nga Malta, Floriana. Ndeshja e kthimit zhvillohet të enjten mbrëma në Paola të Maltës, nga ora 19:30.
Ballkani avancon edhe me barazim e po ashtu me humbje me një gol dallim. Por suharekasit kanë udhëtuar për në Maltë me synim për të shënuar tjetër fitore.
Trajneri Orges Shehi është i vetëdijshëm për rëndësinë që ka qasja e duhur në ndeshje.
“Na pret një ndeshje dhe një situatë tjetër. Shkojmë me avantazhin e ndeshjes së parë, por pa menduar se kemi fituar apo se do ta kemi të lehtë. Do të luajmë me përqendrim maksimal”, ka thënë Shehi të mërkurën për KOHËN.
Bleart Tolaj dhe Sunday Adetunji shkëlqyen në ndeshjen e parë. Tolaj i kishte dy gola, ndërsa Adetunji pos që reailzoi dy gola e kishte edhe një asistim.
Ballkani garimin evropian këtë edicion e nisi prej rundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Ndërkohë Floriana në raundin e parë e eliminoi Haverfordëestin e Uellsit.
Në debutim në gara evropiane, në edicionin 2022/2023, Ballkani arriti në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Ky ishte sukses historik për suharekasit, të cilin e përsëritën edhe në edicionin 2023/2024. Vjet u ndal në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, ndërsa sërish synon fazën grupore.
Nëse e kalon Floriana, gjë që pritet, Ballkani në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës përballet me St. Josephin e Gjibraltarit apo Shamrock Roversin e Irlandës. Shamrocku e fitoi 4:0 ndeshjen e parë në Gjibraltar.
Prishtina, Deçiqi i Tuzit, Dinamo e Tiranës, Vllaznia e Shkodrës, Egnatia e Rrogozhinës janë skuadrat tjera shqiptare që të enjten luajnë në Ligën e Konferencës, garën e tretë evropiane për nga niveli.