Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

GI-TOC: Pastrimi i parave lehtësohet edhe nga avokatët, noterët, kontabilistët dhe audituesit

GI-TOC: Pastrimi i parave lehtësohet edhe nga avokatët, noterët, kontabilistët dhe audituesit

Një raport i Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional, alarmon për rolin që profesionistët kanë në pastrimin e parave. Në të theksohet se në këtë krim ekonomik, rol të madh luajnë avokatët, noterët, kontabilistët dhe audituesit. Raporti u referohet vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në pjesën për Kosovën theksohet se avokatët krijojnë dhe menaxhojnë kompani në emër të klientëve; kontabilistët mbajnë evidenca dhe pasqyra vjetore të falsifikuara; ndërsa noterët legjitimojnë kontrata pronësore dhe huaje që shërbejnë si mjete për integrimin e fondeve

Avokatët, noterët, kontabilistët dhe audituesit lehtësojnë pastrimin e parave edhe në Kosovë, thotë një raport i publikuar të enjten nga Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GI-TOC). Bazuar në të, këta profesionistë “luajnë rol qendror”, për të mundësuar pastrimin e parave.

Raporti, “Licencë për të pastruar: Lehtësuesit profesionistë të pastrimit të parave në Ballkanin Perëndimor”, nuk flet vetëm për Kosovën. Ai mbulon edhe Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, dhe bazohet në 89 intervista si dhe në të dhëna ligjore dhe analiza rreziku.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në rastin e Kosovës, sipas raportit, lehtësuesit profesionalë krijojnë “lidhje të ngushta ndërmjet profesioneve, duke u shërbyer si grupeve të krimit të organizuar ashtu edhe personave të ekspozuar politikisht.

“Avokatët krijojnë dhe menaxhojnë kompani në emër të klientëve; kontabilistët mbajnë evidenca dhe pasqyra vjetore të falsifikuara; ndërsa noterët legjitimojnë kontrata pronësore dhe huaje që shërbejnë si mjete për integrimin e fondeve”, thuhet në raport.

“Vendosja fillestare e fondeve (placement) bëhet përmes bizneseve me qarkullim të madh të parasë së gatshme dhe hyrjeve nga dërgesat e emigrantëve, ndërsa shtresëzimi (layering) lehtësohet përmes strukturave korporative të dizajnuara për të fshehur pronësinë përfituese”, konstatohet në dokument. “Megjithëse udhëzimi i vitit 2023 për PPP/LFT për profesionistët juridikë ofroi këshilla dhe udhëzime mbi detyrimet e pajtueshmërisë, numri i raporteve për transaksione të dyshimta (STR) të regjistruara nga avokatët dhe noterët mbetet i papërfillshëm”.

Në raport theksohet se intervistat tregojnë se sekreti profesional, i kombinuar me varësinë komerciale nga klientët e fuqishëm, ruan një kulturë të mosraportimit.

“Ky diskrecion profesional në praktikë e shndërron mbikëqyrjen kundër pastrimit të parave në një sistem vullnetar, duke lejuar që fondet kriminale të lëvizin lirshëm brenda ekonomisë formale të Kosovës”, konstatohet në raport.

E, në njoftimin e GI-TOC-së për raportin, thuhet se në të gjithë Ballkanin Perëndimor, paratë e paligjshme rrallë lëvizin vetë.

“Ato kalojnë përmes kontratave të noterizuara, akteve të pronësisë, marrëveshjeve të huasë, faturave dhe pasqyrave financiare të audituara, dokumentacion ky që ka nevojë për dikë me licencë që ta nënshkruajë, certifikojë ose vulosë para se të mund të paraqitet si legjitim”, theksohet në njoftim.

Raporti shqyrton profesionistët që vendosin nënshkrimet në dokumente të tilla: noterët, avokatët, kontabilistët, auditorët dhe ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme.

“Duke u bazuar në 89 intervista në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi, të zhvilluara ndërmjet dhjetorit 2024 dhe janarit 2026, së bashku me të dhënat gjyqësore, vlerësimet kombëtare të rrezikut dhe vlerësimet e MONEYVAL-it, raporti gjurmon mënyrën se si këta ‘roje hyrëse’ mund ta ndalojnë financimin e paligjshëm që në hyrje, ose t’ia mbajnë derën hapur”, thuhet në njoftim. “Pasuritë e paluajtshme mbeten kanali kryesor. Kontratat e pronës me vlerë të nënvlerësuar ose të fryrë, rishitjet e shpejta ndërmjet palëve të ndërlidhura, huatë e noterizuara pa burim të besueshëm të fondeve dhe blerësit formalë që veprojnë në vend të pronarit real, përsëriten në të gjashtë vendet”.

Në dokument theksohet se “kompanitë guaskë”, faturat fiktive dhe strukturat korporative ndërkufitare shtojnë shtresa të tjera fshehjeje, zakonisht të menaxhuara nga i njëjti rreth i vogël noterësh, avokatësh dhe kontabilistësh, dhe jo nga një operator i vetëm.

Sipas raportit, vendet e Ballkanit Perëndimor në masë të madhe e kanë harmonizuar legjislacionin e tyre kundër pastrimit të parave me standardet e FATF-së dhe Bashkimit Evropian, por theksohet se dobësia kryesore mbetet mbikëqyrja.

Raporti pretendon se në të gjithë rajonin, bizneset dhe profesionet e caktuara jo-financiare funksionojnë si “lehtësues profesionistë”, të cilët “ndonjëherë krijojnë me qëllim një fasadë legjitimiteti duke autentikuar transaksione pa kryer verifikimin e duhur të klientit”.

Dokumenti thekson “nivele të larta të përdorimit të parasë cash, transaksione ndërkufitare të pasurive të paluajtshme, baza të fragmentuara të të dhënave institucionale dhe koordinim të kufizuar ndërinstitucional” si faktorë që e vështirësojnë zbulimin e rasteve.

Në të thuhet se pasuritë e paluajtshme mbeten kanali dominues i pastrimit të parave, megjithëse mënyrat ndryshojnë nga një vend në tjetrin.

Raporti thekson se në Shqipëri, rrjetet profesionale të pastrimit të parave përdorin struktura komplekse korporative me shumë shtresa, përfshirë kompani guaskë dhe truste, për të fshehur pronësinë reale përfituese të aseteve.

Këto rrjete pastrimi parash, sipas raportit, shfrytëzojnë “konfidencialitetin e klientit dhe sekretin profesional për të shmangur mbikëqyrjen dhe raportimin e transaksioneve të dyshimta, si dhe manipulojnë dokumentacionin përmes kontratave të falsifikuara, faturave të rreme dhe pasqyrave financiare mashtruese, veçanërisht në transaksionet e pasurive të paluajtshme dhe të aseteve me vlerë të lartë”.

Raporti thekson se në Bosnjë dhe Hercegovinë, mbikëqyrja financiare është e fragmentuar dhe kompleksiteti i strukturave institucionale ndërmjet entiteteve e vështirëson zbatimin e ligjit. Ai përmend “transaksione me përdorim të lartë të parasë cash, marrëveshje informale për komisione dhe mungesë të kontrollit të origjinës së fondeve në blerjet me vlerë të lartë” si tipare karakteristike të tregut të pasurive të paluajtshme në vend.

Në Serbi, sipas dokumentit, autoritetet kanë regjistruar rritje të raporteve për transaksione të dyshimta. Krahas kësaj, theksohet se noterët, ndërmjetësit dhe kontabilistët rregullisht formalizojnë shitje pronash me vlerë të nënvlerësuar, hua fiktive dhe fatura të fryra, duke ofruar një fasadë ligjore për fondet e paligjshme.

Sipas dokumentit, në Mal të Zi ekziston një hendek i ndjeshëm midis volumit të transaksioneve të pasurive të paluajtshme dhe numrit të raporteve për transaksione të dyshimta të dorëzuara nga noterët, gjë që sugjeron mekanizma të dobët zbulimi dhe raportimi.

“Noterët shpesh lehtësojnë transferime të shpejta të pronësisë, vlerësime të fryra të pasurive dhe shitje ndaj blerësve të lidhur me kompani offshore” thuhet në raport, sipas të cilit, “avokatët dhe kontabilistët projektojnë struktura korporative dhe financiare për të fshehur pronësinë përfituese”.

Për Maqedoninë e Veriut konstatohet se ka kornizën më të avancuar noteriale ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, por theksohet se raportet për transaksione të dyshimta të dorëzuara nga noterët rrallë çojnë në hetime pasuese. Në të theksohet se legalizimi i ndërtimeve pa leje, “mesatarisht më shumë se 600 ndërtesa në vit” në Maqedoninë e Veriut, funksionon si “një kanal kryesor për integrimin e fondeve të paligjshme”.

Raporti flet për metoda gjithnjë e më komplekse të pastrimit të parave, përfshirë struktura offshore, marrëveshje korporative ndërkufitare, kriptomonedha dhe dokumentacion profesional të përdorur për të ndërtuar një pamje ligjore për flukset e paligjshme.

Në të theksohet se rastet ligjore kundër lehtësuesve profesionalë të pastrimit të parave janë të rralla dhe të vështira për t’u ndjekur penalisht për shkak të “koordinimit të dobët ndërinstitucional, aksesit të kufizuar në të dhënat e pronësisë përfituese dhe kapaciteteve të pabarabarta mbikëqyrëse”.

Raporti i GI-TOC ka bërë thirrje që përpjekjet për të luftuar pastrimin profesional të parave në Ballkanin Perëndimor të kalojnë nga përputhshmëria ligjore drejt zbatimit praktik. Në të janë rekomanduar edhe masa.

Në krye të tyre është forcimi i kapaciteteve institucionale dhe pavarësisë së organeve mbikëqyrëse.

“Vendet duhet të: caktojnë mbikëqyrës të qartë kryesorë për secilin sektor të DNFBP-ve, të mbështetur nga koordinimi formal ndërinstitucional me FIU-të, autoritetet tatimore dhe Ministritë përkatëse, për të siguruar mbikëqyrje të bazuar në rrezik, zbatim të qëndrueshëm të ligjit, mandate të qarta institucionale dhe sanksione efektive, duke shmangur varësinë nga vetërregullimi i pastër”, thuhet ndër të tjera në pjesën e rekomandimeve.

Po ashtu, është kërkuar zbatim i mbikëqyrjes specifike të bazuar në rrezik për të gjitha DNFBP-të, term i përdorur për të përshkruar profesione dhe biznese që nuk janë institucione financiare (si bankat), por që mund të përdoren për pastrimin e parave ose financimin e terrorizmit.

“Mbikëqyrësit duhet të miratojnë mjete specifike të vlerësimit të rrezikut sipas sektorëve, për të identifikuar profesionet, klientët dhe llojet e transaksioneve me rrezik të lartë; dhe analitika e të dhënave duhet të përdoret për të zbuluar anomali, si transaksione të pasurive të paluajtshme me vlerë të nënvlerësuar, kredi qarkulluese ose hyrje të përsëritura të parave të gatshme”, thuhet në raport.

Në dokument është shtruar nevoja që të vendosen sanksione për të dhëna të pasakta ose të papërditësuara mbi pronarët përfitues, të cilat duhet të zbatohen si ndaj subjekteve juridike ashtu edhe ndaj profesionistëve përgjegjës për paraqitjen e këtyre të dhënave.

Rekomandime janë dhënë edhe për mënyrën se si duhet qasur profesionistëve.

“Të miratohen udhëzime interpretuese detyruese që qartësojnë kufijtë ligjorë të sekretit profesional, përfshirë rrethanat në të cilat aktivitetet ligjore dhe noteriale dalin jashtë fushës së privilegjit, veçanërisht kur profesionistët angazhohen në shërbime financiare ose transaksionale, apo kur zbatohen detyrimet për raportimin sipas AML/CFT”, është një prej rekomandimeve. “Të forcohen masat mbrojtëse rreth llogarive të klientëve të mbajtura nga profesionistët ligjorë dhe noterët, duke kërkuar ndarje të qartë të fondeve, mbajtje më të avancuar të evidencave dhe auditime të pavarura, me qasje në informacionet përkatëse për autoritetet kompetente mbikëqyrëse ose hetimore, në përputhje me garancitë e procesit të rregullt ligjor”.

GI-TOC-ja ka rekomanduar edhe krijimin e mekanizmave të sigurt dhe konfidencialë për mbështetjen e pajtueshmërisë brenda odave të avokatëve dhe atyre noteriale, për të ofruar udhëzime mbi detyrimet e raportimit dhe për të lehtësuar raportimin e ligjshëm, pa e zëvendësuar raportimin e drejtpërdrejtë të transaksioneve të dyshimta te Njësia e Inteligjencës Financiare.