Qytetarët në Shqipëri kanë protestuar edhe të premten, për të 20-tën ditë me radhë, me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në orën 19:00, si çdo ditë tjetër, protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” të Tiranës dhe më pas, duke brohoritur thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, marshuan në drejtim të ndërtesës së qeverisë, ku mbajtën fjalimet e tyre.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSiç tashmë është bërë zakon, protesta vazhdon me marshe nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit deri në mesnatë.
Një ditë më parë, qytetarët marshuan fillimisht drejt Parlamentit, ku po zhvillohej votimi i rendit të ditës, dhe më pas u drejtuan te Kryeministria.
Organizatorët kanë deklaruar se do të vijojnë protestat çdo ditë nga ora 19:00, deri në plotësimin e kërkesave të tyre, mes të cilave përfshihet edhe anulimi i ligjeve që, sipas tyre, lidhen me mjedisin, natyrën dhe zonat e mbrojtura.
Protestat në Tiranë nisën pas kundërshtimeve ndaj projekteve të zhvillimit turistik në zonat e mbrojtura të Sazanit dhe Zvërnecit, por me kalimin e ditëve ato janë zgjeruar në kërkesa më të gjera për transparencë, llogaridhënie institucionale dhe kundërshtim të politikave të qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Çështja e projekteve turistike në Sazan dhe Zvërnec është pasqyruar gjerësisht edhe nga mediat ndërkombëtare, ndërsa grupe ambientaliste dhe organizata të shoqërisë civile kanë shprehur shqetësime për ndikimin e mundshëm në zonat e mbrojtura dhe mungesën e transparencës në procedurat e zhvillimit të projektit.
Projekti ndërtimor atje lidhet me dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump.