Debat për Kosovën në konferencën “Udhëkryqet e Ballkanit dhe perspektiva përpara” në Bruksel (KOHA Ditore, 5 dhjetor 2007)
Debati i organizuar nga “Miqtë e Evropës“ në Bruksel dëshmoi se me përjashtim të serbëve dhe rusëve, të tjerët janë pajtuar se Kosova së shpejti do të pavarësohet dhe do të njihet ndërkombëtarisht. Kryeministri Çeku tha se pa pavarësi, kosovarët do të jenë të frustruar, me stagnim ekonomik dhe pa identitet
Bruksel, 4 dhjetor 2007 - Një konferencë mjaft interesante, shpesh edhe me tone të larta polemizuese, e zhvilluar në Bruksel nën organizimin e “Miqve të Evropës“ ka lënë të vetmuar zëvendëskryeministrin e Serbisë, Bozhidar Gjeliq, dhe ambasadorin e Rusisë në BE, Vladimir Chizov, në qëndrimet se „duhet të ketë vazhdim të negociatave edhe pas 10 dhjetorit“. Të gjithë pjesëmarrësit e tjerë nga rajoni që përfshinin presidentin e Kroacisë, Stjepan Mesiq, kryeministrin e Kosovës, Agim Ceku, zëvendësministren e Jashtme të Shqipërisë, Edit Harxhi, biznesmenin, Vebi Velia, e deri tek zyrtarët e BE-së Michael Leigh nga Komisioni Evropian, Stephan Lehne nga Këshilli i BE’-së, Doris Pack dhe Josst Langedijk nga Parlamenti Evropian kishin mendimin se nuk ka mbetur më mundësi pa u provuar, dhe se ka ardhur koha që statusi të caktohet tash. Tema e diskutimeve ishte “Udhëkryqet e Ballkanit dhe perspektiva përpara“ e në këtë statusi i Kosovës dhe situata në Bosnje- Hercegovinë u panë si sfidat më të mëdha për rajonin. Kështu presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiq, tha se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet, sepse duhet të përmbyllet një herë arkitektura e Ballkanit, në mënyrë që të vazhdohet me procesin e integrimit të rajonit në strukturat euroatlantike. Mesiq përsëriti akuzat e tij ndaj Beogradit për atë që e quajti “moslejim të serbëve të Kosovës që të integrohen në institucionet kosovare dhe të bëhen subjekt në Kosovë, porse politikanët e Beogradit i shfrytëzojnë për nevoja të fitimit të pikëve në zgjedhje në Serbi“. Mesiq në mënyrë kategorike kundërshtoi mundësinë e ndarjes së Kosovës.
“Nëse serbët e Kosovës vendosin ta ndajnë veriun dhe eventualisht t’ia bashkojnë Serbisë, atëherë një gjë të tillë do ta kërkojnë edhe shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc e kjo do të thotë luftë“, tha Mesiq, deklarata e të cilit nxiti një polemikë të ashpër me zëvendëskryeministrin e Serbisë, Bozhidar Gjeliq. “Atëherë duhet të jeni edhe kundër copëtimit të Serbisë, pjesë e së cilës është edhe Kosova“, ndërhyri Gjeliq, ndërsa presidenti Mesiq iu kundërpërgjigj duke thënë se “Kosova ka qenë element konstitutiv i Federatës Jugosllave“. Kur Gjeliqi i ndërhyri përsëri në fjalë, Mesiq iu drejtua duke i thënë: “Ju jeni i ri dhe ndoshta nuk e dini, por unë do t’jua shpjegoj dhe t’ju jap ligjëratë. Kosova ka qenë element konstitutiv i ish-Federatës së Jugosllavisë, ndonëse e lidhur me Serbinë, ka qenë një prej elementeve federale. Tash federata nuk ekziston më dhe duhet të caktohet statusi i Kosovës”, tha Mesiq, i përcjellë me duartrokitje të mëdha në sallë. Mesiq po ashtu kundërshtoi ata që bëjnë paralele me zonat autonome në ish- Bashkimin Sovjetik. “Për dallim nga Kosova e cila ka qenë element konstitutiv i Federatës Jugosllave, autonomitë të ish-Bashkimin Sovjetik kanë qenë elemente të republikave sovjetike, e jo të vetë Bashkimit Sovjetik“. Mesiq kështu hodhi poshtë paralelet mes Kosovës dhe Republikës Serbe, duke e quajtur krijimin e kësaj republike gjatë luftës si tentim për ndarje të Bosnjës.
Pavarësia në janar apo shkurt!
Zëvendëskryeministri i Serbisë, Gjeliq, dhe ambasadori rus, Chizov, ndonëse folën në panele të ndryshme të konferencës, i thanë të njëjtat deklarata, sikur të ishin marrë vesh me njëri-tjetrin. Të dy e quajtën procesin e udhëhequr nga Trojka si “sukses të madh, sepse u krijua atmosfera e mirë mes palëve dhe tash duhet vazhduar negociatat derisa të mos arrihet një marrëveshje mes palëve”. “Për dy muaj Trojka ka arritur shumë më tepër sesa Ahtisaari për 14 muaj”, tha ambasadori rus Chizov.
Me këtë vlerësim nuk u pajtua Stephan Lehne, drejtor për Ballkanin në Këshillin e BE-së dhe përfaqësues i Bashkimit Evropian në negociatat për statusin e Kosovës të udhëhequra nga Ahtisaari.
“Ne kemi mbështetur edhe procesin e Ahtisaarit edhe atë të Trojkës. Procesi i udhëhequr nga Ahtisaari ka prodhuar një pako gjithëpërfshirëse e cila jep hapësirë të mirë për zgjidhjen e shumë shqetësimeve rreth Kosovës, siç janë pozita e pakicave, decentralizimi dhe të tjerat“, tha Lehne. Ai tha se „derisa të mos zgjidhet statusi i Kosovës, do të mbeten dilemat në Ballkan dhe rreth Ballkanit“.
Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, duke paralajmëruar se kosovarët do të shpallin pavarësinë në koordinim me SHBA-të dhe BE-në, edhe pasi ai të largohet nga posti, tha se “pakoja e Ahtisaarit nuk është propozim i Kosovës por kosovarët e kanë pranuar dhe ai është një kompromis që kanë bërë“. Çeku tha se përderisa të mos zgjidhet statusi i Kosovës, kosovarët do të mbeten të frustruar, me stagnim ekonomik dhe pa identitet ndërkombëtar. Kryeministri Çeku akuzoi Beogradin për përpjekje që të destabilizojë Kosovën me gjithë deklaratat se nuk do të përdorë dhunë në rast të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Në paraqitjen e tij Joost Langedijk, raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian, i cili edhe kishte paraqitur Rezolutën me të cilën Parlamenti Evropian kishte mbështetur sovranitetin e Kosovës nën mbikëqyrje ndërkombëtare, tha se “Kosova do të shpallë pavarësinë në fund të janarit apo fillim të shkurtit dhe 24 vende të BE-së do ta njohin atë pavarësi shumë shpejt“. Langedijk akuzoi sjelljen e Rusisë, por tha se ashpërsimi i raporteve të Rusisë me Perëndimin në fakt tash ka ndihmuar që të rritet uniteti në BE rreth pavarësisë së Kosovës. Langedijk tha se „e panjohur e madhe mbetet reagimi në dhe rreth veriut të Kosovës“.
Edhe zëvendësministrja e Shqipërisë, Edit Harxhi, tha se Shqipëria nuk pret më negociata dhe pret që kosovarët të vendosin për statusin sepse nuk mund të ketë më negociata të pafund dhe pa rezultate. Ajo tha se vetëm pavarësia e Kosovës sjell stabilitetin afatgjatë në rajonin e Ballkanit.
Në prag të 18 vjetorit të shtetësisë së Kosovës, KOHA rikthen raportimet kryesore të korrespondentit Augustin Palokaj nga Brukseli në tre muajt e fundit që çuan te shpallja e pavarësisë më 2008. Lexoni këto përmbajtje në një vend: