Kampionati Botëror që fillon të enjten është më i madhi ndonjëherë. Botërori në futboll është rritur në 48 ekipe përfaqësuese, tri vende nikoqire dhe 16 stadiume, për rekord prej 104 ndeshjeve gjatë turneut prej 39 ditësh.
Turneu që mbahet në SHBA, Kanada e Meksikë është i pari prej se FIFA e rriti nga 32 në 48 ekipe. FIFA ka shtuar katër grupe në fazën fillestare dhe një raund të 1/16 të finales.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoHerën e kaluar Botërori ishte rritur për edicionin 1998. Shtatë edicionet e fundit i kishin 32 ekipe pjesëmarrëse dhe 64 ndeshje.
Kjo është vetëm hera e dytë që Botërori zhvillohet në më shumë se një vend. Japonia dhe Korea e Jugut e organizuan Botërorin 2002.
Botërori do të zhvillohet në 11 qytete në SHBA, tri në Meksikë dhe dy në Kanada.
Në Meksikë do të luhen 13 ndeshje, duke përfshirë atë hapëse të 11 qershorit mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut.
Edhe në Kanada do të jenë 13 ndeshje, ndërsa e para është mes Kanadasë dhe Bosnjë-Hercegovinës, që zhvillohet më 12 qershor në Toronto.
78 ndeshjet e tjera zhvillohen në SHBA, duke nisur nga ajo e amerikanëve me Paraguajin, më 12 qershor në Los Angeles.
1248
Plot 1248 lojtarë janë përzgjedhur për Botëror. Ata janë pjesë e 449 klubeve në 71 vende të ndryshme. Janë 357 lojtarë me përvojë në Botëror dhe 891 të tjerë që debutojnë.
Në Angli luajnë plot 200 lojtarë që janë përzgjedhur për Botëror. Në Gjermani janë 109, ndërsa pasojnë Franca e Spanja me nga 86, Italia me 71 dhe Arabia Saudite me 49.
Prej klubeve, Manchester City përfaqësohet me 19 lojtarë. Bayerni i ka 18-të, PSG-ja dhe Arsenali nga 16, ndërsa Barcelona 15.
226
Superylli portugez, Cristiano Ronaldo, është lojtari me më së shumti ndeshje ndërkombëtare prej të gjithë pjesëmarrësve në Botëror. Ronaldo i ka 226 ndeshje për Portugalinë, që në fakt është shifra më e lartë në histori.
Ronaldo është i vetmi që ka shënuar gola në pesë Botërorë të ndryshëm. I ka tetë gola në 22 ndeshje.
Lionel Messi po ashtu luan në Botërorin e gjashtë. Ai ka 26 ndeshje në Botëror, që është shifra më e lartë e deritashme. Messit i duhen edhe dy ndeshje për të arritur shifrën e 200 paraqitjeve ndërkombëtare. Bader Al-Mutawa i Kuvajtit i ka mbi 200 ndeshje po ashtu. Luka Modriq është po ashtu dy ndeshje larg që të bashkohet në këtë grup.
Në Botërorin e gjashtë është edhe Guillermo Ochoa i Meksikës. Por ky portier nuk ka luajtur në vitin 2006 dhe vitin 2010.
16
Miroslav Klose e mban rekordin për gola në Botërorë me 16. Rekordi i tij megjithatë rrezikohet. Lionel Messi tashmë i ka 13 gola. Para tij janë edhe braziliani Ronaldo me 15 dhe Gerd Muller me 14.
Kylian Mbappe është aty pranë me 12 gola në dy Botërorët e kaluar.
8
Vetëm tetë përfaqësuese e kanë fituar Botërorin deri më tani. Gjashtë prej tyre e kanë fituar më shumë se një herë. Brazili ka plot pesë tituj. Në vitin 1998 Franca e fitoi titullin e parë, ndërsa këtë e arriti edhe Spanja në vitin 2010.
2
Vetëm dy përfaqësuese kanë mbrojtur titullin e botës. Brazili i Peles e fitoi Botërorin në vitin 1962 pasi kishte triumfuar edhe në vitin 1958. Italia, që nuk është në Botëror, u shpall kampione në vitin 1934 dhe 1938.
Tri përfaqësuese të tjera arritën në finale si kampione në fuqi. Së fundi këtë e arriti Franca katër vjet më parë, por u mposht nga Argjentina.
Ndërkohë janë gjashtë përfaqësuese që si kampione në fuqi nuk arritën ta kalojnë fazën grupore. E fundit ishte Gjermania në vitin 2018.
Franca po ashtu do të mundohet të bëhet përfaqësuesja e tretë që luan në tri finale rresht. Gjermania Perëndimore dhe Brazili e kanë arritur këtë më herët.
23
Brazili është ekipi i vetëm që ka luajtur në të gjitha 23 edicionet e Kupës së Botës. Brazili po ashtu udhëheq me 76 fitore, 237 gola dhe goldallim +129.
Gjermania është e dyta në të tri kategoritë me 21 paraqitje, 232 gola dhe goldallim +102.
4
Janë katër përfaqësuese që debutojnë në Kupën e Botës: Kepi i Gjelbër, Kuraçao, Jordania dhe Uzbekistani. Numri i përfaqësueseve që kanë garuar apo garojnë në Kupën e Botës është rritur në 84.
7
Egjipti ka luajtur shtatë ndeshje në Kupë të Botës, pa shënuar fitore. Vetëm Hondurasi ka më shumë ndeshje pa fitore në Botëror – nëntë. Hondurasi nuk është i kualifikuar për këtë Botëror.
2720
Janë shënuar 2720 gola në 964 ndeshje në 22 edicionet e deritashme të Kupës së Botës. Me shtimin e 40 ndeshjeve, rekordi prej 172 golave nga “Katari 2022” pritet të thyhet. Por rekordi prej 5,38 golave për ndeshje nga Botërori 1954 nuk duket në rrezik.
25
Ka dallim prej 25 vjetësh në mes të lojtarit më të vjetër dhe më të ri në Botëror.
Portieri i Skocisë, Craig Gordon do të ketë moshë prej 43 vjet e 162 ditë në ditën e parë të Botërorit. Gilbert Mora i Meksikës do të jetë 17 vjeç e 240 ditë.